Prishtinë, 11 shtator, Zhurnal.mk – Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar projektin për transformimin e hapësirës së Tulltores në Qendër për Zhvillimin e Artit, Kulturës dhe Teknologjisë.
Rendi i ditës është miratuar me 31 vota për, 13 kundër dhe asnjë abstenim.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se projekti synon që një hapësirë e mbuluar me bërllog, e pazhvilluar dhe pa funksion për qytetin, të shndërrohet në një hapësirë të re për artin, kulturën dhe teknologjinë.
“Ky projekt votohet sot. Tulltoren, nga hapësirë e mbuluar me bërllog, e pazhvilluar, e pasigurt dhe pa funksion për qytetin, po e kthejmë në Qendër për Zhvillimin e Artit, Kulturës dhe Teknologjisë”, ka deklaruar Rama.
Rama ka theksuar se toka nuk do të kalojë në pronësi private, por do të mbetet pronë e Kryeqytetit dhe do të jepet në shfrytëzim për një periudhë prej 50 vjetësh.
“Kjo tokë nuk falet. Toka mbetet pronë e Kryeqytetit. Jepet në shfrytëzim për 50 vjet për me u zhvillu dhe, për këtë shfrytëzim, Kryeqyteti përfiton 1 milion euro çdo vit. Për 50 vjet, mbi 50 milionë euro për Kryeqytetin”, ka thënë ai.
Sipas Ramës, përmes këtij projekti një hapësirë aktualisht e pashfrytëzuar synohet të shndërrohet në një qendër me funksion për qytetarët dhe zhvillimin e kryeqytetit.
