Tiranë, 11 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar në Dallas një takim me kongresmenin amerikan Joe Wilson, kryetar i Komisionit të Helsinkit të Kongresit të SHBA-së.
Berisha bën me dije se diskutimet u përqendruan te trafiku i drogës dhe kartelet, korrupsioni qeveritar dhe ndikimi i tyre në zgjedhje, si dhe te gjendja e demokracisë dhe të drejtave të opozitës në Shqipëri.
Berisha theksoi ndër të tjera se lufta kundër narkotrafikut dhe krimit të organizuar ishte një nga çështjet kryesore të takimit.
Sipas Berishës, gjatë takimit u vu theksi te qëndrimet e shprehura nga Presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, sipas të cilëve partneriteti strategjik me Shqipërinë synon në radhë të parë luftën pa kompromis ndaj trafikut dhe karteleve të drogës janë një shpresë për shqiptaret.
“E njohëm kongresmenin amerikan me situatën jashtëzakonisht të vështirë ku ndodhet vendi”, shkruan Berisha.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama ka shkatërruar Kushtetutën dhe të gjitha institucionet e pavarura, duke përqendruar në duart e tij një pushtet absolut që prodhon korrupsion absolut.
“Po ashtu, ngritëm shqetësimin se të drejtat e opozitës në Parlament shkelen dhe nuk respektohen. Kryeministri kontrollon plotësisht drejtësinë dhe e përdor atë si armë politike kundër opozitës me qëllim mbajtjen e pushtetit”, theksoi ai.
