Tiranë, 11 shtator Zhurnal.mk – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar takime pune me strukturat policore në Korçë, Tiranë dhe Dibër, ku ka përcaktuar disa prej prioriteteve kryesore për forcimin e sigurisë.
Në fokus të diskutimeve ka qenë nisja e vitit të ri shkollor. Hita u ka kërkuar drejtuesve vendorë që të monitorojnë nga afër zbatimin e masave të sigurisë pranë institucioneve arsimore dhe të garantojnë një mbarëvajtje sa më të qetë të procesit mësimor.
Policia pritet të shtojë kontrollet brenda dhe përreth perimetrit të shkollave, me qëllim identifikimin dhe parandalimin e rasteve ku persona të ndryshëm mund të përfshijnë të miturit në veprimtari kriminale.
Një tjetër fokus i takimeve ka qenë lufta kundër grupeve kriminale, armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve. Kreu i Policisë ka kërkuar që strukturat vendore dhe ato kufitare të intensifikojnë hetimet dhe operacionet për goditjen e krimeve të rënda, trafikut dhe personave në kërkim.
Hita ka kërkuar gjithashtu rritjen e sigurisë në rrugë dhe përdorimin më efikas të teknologjisë për parandalimin e aksidenteve dhe evidentimin e shkeljeve.
Në takime është diskutuar edhe për përmirësimin e performancës së Policisë dhe forcimin e komunikimit me qytetarët. Sipas drejtuesit të Policisë së Shtetit, rritja e besimit të publikut kërkon më shumë angazhim dhe reagim konkret ndaj problematikave të raportuara nga qytetarët përmes kanaleve zyrtare dhe platformës së bashkëqeverisjes.
