Dublin, 12 shtator Zhurnal.mk – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbërritur mëngjesin e së shtunës në Aeroportin e Dublinit, duke nisur vizitën e tij zyrtare dyditore në Irlandë. Për vizitën e kreut të Shtëpisë së Bardhë, autoritetet irlandeze kanë aktivizuar një operacion të gjerë sigurie, me qindra efektivë të angazhuar në terren. Avioni presidencial u ul rreth orës 08:25, sipas orës lokale, ndërsa Trump u prit në aeroport nga zëvendëskryeministri irlandez, Simon Harris.
Gjatë qëndrimit në Dublin, Presidenti amerikan do të zhvillojë një sërë takimesh të nivelit të lartë. Trump pritet të vizitojë Presidenten e Irlandës, Catherine Connolly, në rezidencën zyrtare Áras an Uachtaráin, ndërsa më pas do të zhvillojë bisedime me kryeministrin irlandez, Micheál Martin, në Farmleigh House. Në axhendën e tij është edhe një fjalim përpara qindra të ftuarve në rezidencën e Ambasadorit të SHBA-së në Irlandë, Edëard Walsh. Pas takimeve në kryeqytet, Trump do të udhëtojë drejt Aeroportit Shannon, në qarkun Clare, për të vijuar vizitën në Doonbeg, ku ndodhet resorti i tij luksoz i golfit.
Në këtë zonë po zhvillohet aktualisht turneu i njohur Irish Open. Trump pritet të ndjekë ndeshjet dhe, sipas raportimeve, të dorëzojë trofeun për fituesin e turneut të dielën, përpara se të rikthehet në SHBA.
Vizita ka sjellë masa të forta sigurie në të gjithë itinerarin e Presidentit amerikan. Policia irlandeze, An Garda Síochána, ka angazhuar qindra efektivë shtesë dhe ka kufizuar lejet për një pjesë të forcave të saj.
Kufizime të qarkullimit janë vendosur në zona të ndryshme të Dublinit dhe Clare, ndërsa autoritetet po përgatiten edhe për protesta kundër vizitës së Trump. Tubime pritet të zhvillohen si në Dublin, ashtu edhe pranë resortit në Doonbeg.
