Berat, 13 shtator Zhurnal.mk – Takimi i kryeministrit Edi Rama në Berat, për të diskutuar mbi reformën territoriale, u shoqërua me debate me kryebashkiakun e Poliçanit, Adriatik Zotkaj, si dhe aktoren Egla Ceno.
Ceno ka rrëfyer edhe versionin e saj të ngjarjes, duke treguar se si nisi përplasja me kryeministrin Rama, i cili i kërkoi të largohej.
“Pas 15 apo 20 minutash, gjatë të cilave shpjegoi përse duhej të bëhej reforma, kryeministri bënte pyetje, por nuk lejonte askënd të përgjigjej. E pyeta nëse do të na dëgjonte dhe ai më tha: ‘Dil jashtë”, deklaroi Ceno.
Ceno tha se i ishte përgjigjur Ramës duke thënë se në takim nuk kishte shkuar për të dëgjuar monolog.
“I thashë: ‘Po, po, edhe jashtë dal, por jam këtu si përfaqësuese e qytetit tim’. Më pas e pyeta nëse takimi ishte monolog apo dialog”, u shpreh ajo për “Vip Magazine”
Reforma territoriale parashikon shkrirjen e Bashkisë së Poliçanit dhe bashkimin me atë të Beratit. Si përfaqësues të Poliçanit, Ceno dhe kryebashkiaku aktual Zotkaj e kanë kundërshtuar atë.
