Tiranë, 29 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cilësoi sot deputetët e Partisë Socialiste si “mbrojtës të korrupsionit dhe të krimeve”.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha kërkoi largimin e mazhorancës nga Parlamenti, të cilin e quajti “parlament i krimit dhe i hajdutëve”.
“Ndaj dhe largohuni nga parlamenti i krimit, nga parlamenti i hajdutëve më të mëdhenj, por mbi të gjitha i avoketërve të shpifur të një padrinoje”, tha ai.
Berisha shtoi se “në u ka mbetur qoftë edhe një nanogram ndërgjegje njerëzore, ikni nga parlamenti si turpi i madh në histori që i keni bërë këtij tempulli me praninë. Nuk keni vend në parlament ju, vendi juaj është tek ata që i përdorni si mercenarë kundër studentëve. Ndaj më mirë sot vendosim të shkrihet ky parlament krimi, t’i hapim rrugën zhvillimeve, t’i hapim rrugën vendit”.
Berisha u shpreh në mbështetje të protestave studentore, duke theksuar se studentët nuk do të tërhiqen dhe se pas tyre qëndron një pjesë e gjerë e shoqërisë.
Ai gjithashtu tha se policia ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve dhe paralajmëroi se qeveria do të përballet me pasoja politike.
Gjatë fjalës së tij, Berisha iu referua edhe një letre të kongresmenëve amerikanë Joe Wilson dhe Keith Self drejtuar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, teksa shtoi se në të kërkohet vendosja e sanksioneve ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut.
Në përfundim, kreu i PD-së se anëtarët e mazhorancës do të përballen me përgjegjësi për veprimet e tyre. Ai e krahasoi fatin e mundshëm të Ramës me atë të ish-diktatorit rumun Nicolae Çaushesku.
