Malaj paraqet projektbuxhetin në Konferencën e Kryetarëve, PD nuk merr pjesë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi sot në Konferencën e Kryetarëve projektbuxhetin e shtetit për vitin 2027 dhe paketën fiskale ndërsa pritet që konferenca të caktojë edhe kalendarin e diskutimeve dhe miratimit të tyre.

Në mbledhje, Partia Demokratike nuk mori pjesë me argumentin se nuk ka pasur në dispozicion dokumentin shoqërues.

Në një deklaratë për shtyp, grupi parlamentar i PD-së thekson se deputetëve nuk u është vënë në dispozicion dokumentacioni shoqërues i projektbuxhetit, duke e cilësuar këtë si pengesë për shqyrtimin dhe kontrollin parlamentar.

“Në momentin e njoftimit të mbledhjes e deri në mesnatë, deputetëve nuk u është vënë në dispozicion asnjë dokument për projektbuxhetin që pretendohet të prezantohet”, thuhet në deklaratë.

Sipas PD-së, mungojnë projektligjet, relacionet shpjeguese dhe dokumentacioni financiar që duhet të shoqërojë një nismë të kësaj rëndësie.

“Pra, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë thirren të dëgjojnë ministrin e Financave të flasë për një dokument që nuk kanë pasur mundësi ta lexojnë, ta studiojnë apo ta analizojnë”, thekson grupi parlamentar.

Opozita kundërshton gjithashtu afatin e shkurtër të njoftimit të mbledhjes, duke iu referuar Rregullores së Kuvendit.

“Neni 12, pika 3, i Rregullores së Kuvendit përcakton shprehimisht se mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve, si rregull, zhvillohen jo më herët se 48 orë nga momenti i njoftimit”, thuhet në deklaratë.

PD-ja vlerëson se buxheti i shtetit kërkon një proces shqyrtimi transparent dhe kohë të mjaftueshme për diskutim, pasi përcakton mënyrën e mbledhjes dhe përdorimit të fondeve publike.

“Buxheti i shtetit nuk është një dokument formal. Ai përcakton se sa para do të mblidhen nga qytetarët dhe bizneset, si do të shpenzohen ato, cilat sektorë do të financohen dhe cilat do të jenë prioritetet reale të qeverisë”, argumenton grupi parlamentar.

Në këtë kontekst, opozita thekson se mungesa e dokumentacionit pengon ushtrimin e funksioneve të deputetëve.

“Nuk mund të ketë debat pa dokumente. Nuk mund të ketë kontroll parlamentar pa informacion. Dhe nuk mund të kërkohet përgjegjësi nga deputetët kur atyre u mohohet mundësia për të ushtruar detyrën”, thuhet në njoftim.

Grupi parlamentar i PD-së ngre gjithashtu dyshime se organizimi i mbledhjes synon të krijojë një aktivitet me karakter propagandistik, në vend të një diskutimi të mirëfilltë mbi financat publike.

“Në vlerësimin tonë, mënyra se si është organizuar kjo mbledhje ngre dyshimin e arsyeshëm se qëllimi nuk është një diskutim serioz për financat publike, por krijimi i një aktiviteti propagandistik të qeverisë”, deklaron PD-ja.

Megjithatë, opozita sqaron se nuk kundërshton diskutimin e projektbuxhetit, por mënyrën se si është organizuar procesi.

“Opozita nuk po refuzon diskutimin e buxhetit. Opozita po refuzon një procedurë që e zbraz diskutimin parlamentar nga përmbajtja”, theksohet në deklaratë.

PD-ja kërkon që projektligji për Buxhetin e Shtetit 2027 dhe dokumentacioni shoqërues t’u vihen menjëherë në dispozicion deputetëve, si dhe të përcaktohet një kalendar që garanton kohë për analizë, pyetje, diskutime dhe amendamente.

“Buxheti i përket qytetarëve shqiptarë”, nënvizon grupi parlamentar, duke i kërkuar kryetarit të Kuvendit të garantojë zbatimin e Rregullores dhe të drejtat e të gjithë deputetëve.

PD-ja konfirmon vendimin për të mos marrë pjesë në mbledhjen e sotme, duke theksuar se qeveria ka të drejtë të propozojë buxhetin, por jo të përcaktojë mënyrën se si Parlamenti ushtron kontrollin mbi të.

“Qeveria ka të drejtë të propozojë buxhetin, por nuk ka të drejtë t’i diktojë Parlamentit si duhet ta kontrollojë atë”, përfundon deklarata e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

artikuj të ndërlidhura