Në ENER është publikuar Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lobim

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 shtator, Zhurnal.mk – Ministria e Drejtësisë njoftoi se në ENER është publikuar Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lobim.

Me Propozim-ligjin, siç thuhet, propozohen zgjidhje për forcimin e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në proceset e krijimit dhe zbatimit të politikave publike.
“Me ndryshimet e propozuara zgjerohet fushëveprimi i lobimit në proceset e miratimit, ndryshimit, zbatimit dhe vlerësimit të politikave publike, precizohen rregullat për përfaqësimin e interesit publik, forcohen mekanizmat për parandalimin e lobimit të fshehtë dhe të palejuar, duke përfshirë edhe lobimin përmes kanaleve digjitale dhe rrjeteve sociale, vendosen detyrime për organet ndaj të cilave zhvillohet lobimi lidhur me përgjigjet dhe realizimin e kontakteve, avancohet transparenca përmes publikimit të informacioneve për pjesëmarrësit, interesat e përfaqësuara, iniciativat dhe takimet zyrtare”, theksojnë nga Ministria.

Me zgjidhjen e propozuar forcohen mbikëqyrja dhe kontrolli nga ana e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe parashikohen sanksione të reja dhe më të larta për kundërvajtje për mosrespektimin e detyrimeve ligjore.

“Qëllimi është krijimi i një sistemi më të qartë dhe më efikas, në të cilin lobimi është instrument legjitim dhe transparent për pjesëmarrje në krijimin e politikave publike, ndërsa njëkohësisht parandalohet ndikimi i fshehtë dhe i palejuar mbi vendimmarrjen publike”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër