Ibrahimaj: Bonusi mujor për pensionistët do të dyfishohet nga 1 janari 2027

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Bonusi mujor për pensionistët do të dyfishohet nga 1 janari 2027, ndërsa vijon edhe indeksimi i pensioneve, bëri të ditur ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ibrahimaj theksoi se pensionistët janë në qendër të politikave sociale dhe se rritja e të ardhurave të tyre mbetet një nga prioritetet e qeverisë.

“Në vitin 2026 nisëm bonusin mujor, ndërsa nga 1 janari 2027 ai do të dyfishohet për të gjitha kategoritë e pensionistëve, krahas vijimit të indeksimit të pensioneve”, u shpreh Ibrahimaj.

Sipas saj, për këtë mbështetje janë parashikuar 22.4 miliardë lekë më shumë në buxhetin e vitit 2027.

Objektivi i qeverisë është që deri në vitin 2030 pensioni i plotë të mos jetë më i ulët se 40 mijë lekë, ndërsa pensioni i pjesshëm të arrijë në jo më pak se 22 mijë lekë.

“Ky është një angazhim konkret për të rritur, hap pas hapi, të ardhurat e pensionistëve”, theksoi Ibrahimaj.

Bonusi mujor për pensionistët është pjesë e skemës së mbështetjes së të ardhurave të pensionistëve, hyri në fuqi gjatë vitit 2026. Sipas kategorisë së pensionit, përfituesit marrin një shtesë mujore që varion nga 600 deri në 1,800 lekë. Për pensionet urbane të plota me vite të plota pune bonusi ishte 1,800 lekë në muaj, ndërsa për kategoritë e tjera shuma përcaktohet sipas llojit të pensionit.

Skema e bonusit mujor është e ndryshme nga bonuset e njëhershme të fundvitit apo bonuset sezonale. Për vitin 2027 është parashikuar dyfishimi i bonusit mujor për të gjitha kategoritë e pensionistëve, krahas indeksimit të pensioneve.

Ndërkohë në vitin 2026, krahas indeksimit të pensioneve me 2.7%, qeveria vendosi edhe një bonus veror prej 5 mijë lekësh, që nisi të shpërndahej nga 1 korriku dhe përfshiu mbi 777 mijë pensionistë. Efekti financiar i këtij bonusi u llogarit në rreth 3.7 miliardë lekë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër