Hansi Flick ka pranuar se do të dëshironte ta udhëhiqte Barcelonën në një finale të Ligës së Kampionëve në “Spotify Camp Nou”, ndonëse gjermani e pranon se nuk mund të parashikojë nëse do të jetë ende trajner i klubit në atë moment.
I pyetur nëse do të dëshironte të ishte në finalen e Ligës së Kampionëve në “Camp Nou” si trajner i Barcelonës, Flick dha një përgjigje të prerë.
“Patjetër. 100 për qind. Si trajner ose si tifoz, do ta shohim. Nuk i dihet kurrë se çfarë mund të ndodhë”.
“Në futboll gjithçka është e mundur. Jam i lumtur te Barcelona dhe jam i lumtur që drejtoj Barçën, por nuk i dihet kurrë se çfarë mund të ndodhë”, deklaroi Flick.
Trajneri gjerman foli edhe për ambiciet e Barcelonës për të arritur në finalen e Ligës së Kampionëve dhe për të shkruar historinë në stadiumin e saj të rinovuar.
“Ëndrra jonë është të jemi të parët që e fitojmë Ligën e Kampionëve. Kemi dëgjuar për këtë. Është një lajm i mirë për klubin. Ky stadium, kur të përfundojë, do të jetë i jashtëzakonshëm”, shtoi ai.
Barcelona synon rikthimin në finalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa “Spotify Camp Nou” i rinovuar do të jetë nikoqir i finales së kompeticionit në vitin 2029. /

