124 aktivistë mjedisi të vrarë në vitin 2025

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 16 shtator, Zhurnal.mk – Të paktën 124 aktivistë të mjedisit u vranë në mbarë botën gjatë vitit 2025, sipas një raporti të publikuar sot nga organizata joqeveritare ”Global Witness”.

Shumica e viktimave ishin indigjenë ose fermerë të vegjël, ndërsa shpesh viheshin në shënjestër ata që bënin fushatë kundër minierave, prerjes së pyjeve, shfrytëzimit të paligjshëm të tokës bujqësore dhe projekteve energjetike.
Kolumbia mbeti vendi më i rrezikshëm për mbrojtësit e mjedisit për të katërtin vit radhazi.

Sipas raportit, atje u regjistruan 39 vrasje gjatë vitit 2025.

Pas Kolumbisë renditet Brazili, me 26 viktima, ndërsa Hondurasi dhe Filipinet regjistruan nga 12 vrasje secili.

Amerika Latine përbënte 85% të të gjitha vrasjeve të regjistruara në botë, duke mbetur rajoni më vdekjeprurës për mbrojtësit e mjedisit çdo vit që prej vitit 2012, kur “Global Witness” nisi publikimin e raporteve vjetore.

Numri global i viktimave ishte më i ulët krahasuar me vitet e mëparshme. Megjithatë, ”Global Witness” paralajmëroi se shifra reale mund të jetë më e lartë, pasi shumë raste nuk raportohen ose nuk dokumentohen.

Autori kryesor i raportit, Toby Hill, tha se njerëzit që mbrojnë tokën janë si “sytë dhe veshët e botës” në terren, pasi ndihmojnë në dokumentimin e shkatërrimit të ekosistemeve, prerjes së pyjeve dhe ndotjes së lumenjve.

Sipas Hill, dhuna ndaj këtyre aktivistëve, përfshirë vrasjet në rastet më ekstreme, pasqyron një konflikt më të gjerë rreth kontrollit të tokës dhe burimeve natyrore të planetit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër