VLEN: Gjykimi ndaj Thaçit dhe ish‑krerëve të UÇK‑së është i padrejtë, beteja ligjore vazhdon

Nga I.A
33 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 shtator, Zhurnal.mk – Koalicioni VLEN e ka cilësuar si të padrejtë dhe të papranueshme vendimin e sotëm të Dhomave Speciale të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke theksuar se beteja ligjore do të vazhdojë në shkallën e Apelit.

“Me keqardhje të thellë dhe indinjatë e pranuam lajmin për vendimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Dënimet e shqiptuara janë të larta dhe të papranueshme”, thuhet në reagimin e VLEN.

Nga koalicioni theksojnë se vendimi nuk e vë në pikëpyetje legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke rikujtuar se lufta e saj ishte një betejë e drejtë për liri, e zhvilluar në kushte represioni dhe krimesh të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

“E vërteta historike nuk mund të ndryshohet nga asnjë vendim gjyqësor. Lufta e UÇK‑së ishte luftë për liri”, theksohet në reagim.

VLEN rikujton se bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë dhe shpreh pritshmëri që në Apel të shqyrtohen argumentet e mbrojtjes.

“VLEN qëndron pranë familjeve të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, pranë bashkëluftëtarëve të tyre dhe pranë popullit të Kosovës. E vërteta nuk rishkruhet”, përfundon reagimi i koalicionit.

Më herët gjatë ditës, Gjykata shpalli fajtor ish‑presidentin e Kosovës Hashim Thaçi për krime lufte dhe e dënoi me 25 vite burg. Jakup Krasniqi u dënua me 25 vite, Kadri Veseli me 18, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite burg. Katër ish‑krerët e UÇK‑së u shpallën përgjegjës për privim arbitrar të lirisë, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, ndërsa gjykata konstatoi se nuk u provua akuzimi për krime kundër njerëzimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër