Shkup, 16 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, sot zhvilloi takim me koordinatoren rezidente të Kombeve të Bashkuara në Maqedoni, Rita Kolumbia. Në takim u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të Kornizës së re të bashkëpunimit OKB–Maqedonia e Veriut 2026–2030, me fokus në qeverisjen e mirë, zhvillimin institucional dhe forcimin e kapaciteteve të administratës publike.
Vëmendje e veçantë iu kushtua Akademisë për trajnim dhe zhvillim profesional të nëpunësve administrativë, e cila pritet të fillojë punën në vitin 2027. U bisedua për mundësitë e mbështetjes nga sistemi i OKB‑së në zhvillimin e moduleve të trajnimit dhe përgatitjen e trajnerëve, me qëllim që zhvillimi profesional i vazhdueshëm të bëhet pjesë përbërëse e punës së administratës publike. Në këtë kontekst u përmend edhe bashkëpunimi i deritanishëm me UNDP për vendosjen e sistemit të menaxhimit të të nxënit – LMS.
“Reforma e administratës publike nuk është vetëm krijim ligjesh. Vlera e saj e vërtetë është që qytetarët të marrin institucione që punojnë më efikas, më profesionalisht dhe në interesin e tyre. Prandaj për ne janë të rëndësishme partneritetet që sjellin dije, përvojë dhe mbështetje konkrete”, theksoi ministri Minçev.
Ministria e Administratës Publike do të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin me organizatat dhe partnerët ndërkombëtarë përmes iniciativave konkrete, të orientuara drejt mbështetjes së prioriteteve dhe proceseve reformuese, me synim krijimin e një administrate publike më efikase, profesionale dhe moderne në shërbim të qytetarëve.
