Veles, 16 shtator Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë një vizite pune në komunën e Velesit, theksoi se Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore po punon për zgjidhjen e ndërtimit të një ure të re pranë Bashino Sellos, një nga hyrjet në Veles.
“Ndërtimi i urës së re pranë Bashino Sellos është premtim ynë zgjedhor. Aktualisht, Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore po punon në projektimin e urës së re dhe me buxhetin për vitin e ardhshëm pres që të zgjidhet kontraktori që do ta ndërtojë këtë urë si një objekt kapital, i cili i nevojitet komunës së Velesit. Ura e vjetër nuk mund të rikonstruktohet dhe për këtë arsye është e nevojshme të ndërtohet një urë e re”, deklaroi ministri Nikolloski.
Dy vjet pas deklaratës së tij, hyrja në Veles ende nuk ka urë të re. Nuk pati buxhetim as për vitin 2025, as për vitin 2026, ndërsa sipas informacioneve të fundit, ndërtimi i urës pritet të nisë më së hershmi në tremujorin e dytë të vitit 2027.
E pyetëm Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore se deri ku ka arritur procedura për projektimin dhe përzgjedhjen e kontraktorit, ndërsa nga atje u përgjigjën:
“Sa i përket ndërtimit të urës së re mbi lumin Vardar pranë Bashino Sellos, ju informojmë se afati për përfundimin e projektimit është deri më 03.12.2026. Pas përgatitjes së projektit, marrjes së të gjitha lejeve të nevojshme dhe sigurimit të mjeteve financiare, do të nisë procedura e prokurimit publik për ndërtimin e urës së re”, deklaruan nga NP për Rrugët Shtetërore për “Fokus”.
Premtimi i Nikolloskit ende nuk është realizuar, por të paktën NP për Rrugët Shtetërore arriti në kohë ta sanonte urën e vjetër, në mënyrë që Velesi të mos mbetet vetëm me dy hyrje në qytet, të cilat megjithatë nuk janë të përshtatshme për qarkullimin e automjeteve të rënda transportuese.
Pas përforcimit të konstruksionit të saj të poshtëm, përkatësisht trarëve dhe shtyllave, ura mund të përballojë ngarkesë deri në 40 tonë dhe qytetarët mund të qarkullojnë në mënyrë të sigurt.
Ura është ndërtuar në vitin 1971, pra para më shumë se pesë dekadash. Gjatë 15 viteve të fundit ajo paraqiste rrezik të madh për kalimtarët, për çka Qeveria, me rekomandim të Fakultetit të Ndërtimtarisë, në janar të vitit 2025 ishte e detyruar ta mbyllte.
“Pas gjashtë muajsh, sërish jemi këtu, me një premtim të realizuar që atëherë ua dhamë qytetarëve. Punimet në urë i përfunduam shumë më shpejt nga sa pritej. U përforcuan trarët dhe shtyllat dhe tani ura është stabile dhe funksionalisht shumë më e fuqishme”, deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski, në fillim të korrikut 2025, i cili gjithashtu gaboi në parashikimin për ndërtimin e urës së re.
Atëherë ai njoftoi se, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit, tashmë kishte nisur faza e projektimit të urës së re dhe tha se shpresonte që në gjysmën e dytë të vitit të shpallej tenderi për ndërtimin e urës, me një teknologji të re, e cila deri atëherë nuk ishte përdorur në vend.
Ndërkohë, deri në korrik të vitit 2027, projektuesi i përzgjedhur nga NP për Rrugët Shtetërore duhet të përgatisë dokumentacionin projektues për rehabilitimin dhe riparimin e autostradës A2, Unazës së Shkupit, në të dyja karrexhatat.
“Pas përfundimit të projektit dhe marrjes së dokumentacionit projektues, si dhe sigurimit të mjeteve financiare, do të krijohen kushtet për zhvillimin e procedurës për përzgjedhjen e kontraktorit për rehabilitimin e unazës”, informuan nga NP për Rrugët Shtetërore.
