Eliza Hoxha: Kosova nuk është më njësoj, dje nuk u dënuan ata – u dënua UÇK-ja

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Këngëtarja, arkitektja dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Eliza Hoxha, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Përmes një statusi të publikuar në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, Hoxha e ka përshkruar ditën pas aktgjykimit si një moment të rëndë për Kosovën, duke thënë se vendimi ka prekur mënyrën se si vendi e sheh historinë e tij.

“Kosova u zgjua e lënduar, e fyer, e thyer, e pikëlluar, sot. Kosova u zgjua me histori të cënuar dje në Hagë. Por Kosova, si dje e si sot, e di se cila është historia e saj e vërtetë”, ka shkruar ajo.

Hoxha ka deklaruar se, sipas saj, përvoja e luftës dhe e regjimit të Slobodan Millosheviqit mbetet pjesë e kujtesës së qytetarëve të Kosovës, duke theksuar se një proces gjyqësor nuk mund ta ndryshojë këtë përvojë.

“Nuk ka gjyq që e ndryshon këtë në sytë e në jetët e të gjithë neve që e kemi përjetuar luftën, dhunën, përjashtimin, diskriminimin dhe denigrimin permanent nga regjimi i Millosheviqit”, ka shkruar deputetja.

Ajo e ka cilësuar vendimin si një ngjarje që, sipas saj, “e ka shkundur Kosovën”, ndërsa ka bërë thirrje për vazhdimin e betejës për drejtësi.

“Por, Kosova ka me vazhdu betejën për drejtësi. Sepse, e drejta për liri është dhe mbetet e drejta fillestare fundamentale e një populli dhe UÇK ishte produkt i asaj nevoje”, ka shkruar Hoxha.

Në reagimin e saj, ajo ka bërë thirrje për maturi, unitet dhe veprime të kujdesshme, duke theksuar nevojën që institucionet e Kosovës të veprojnë si shtet.

“Sikur atëherë që me përgjegjësi kemi vepru ndaj padrejtësive, ashtu duhet të vazhdojmë edhe sot, me maturi, unitet, dije dhe veprime të mençura”, ka deklaruar ajo.

Hoxha ka kërkuar gjithashtu që, përballë asaj që e quan sfidë ndaj historisë dhe kujtesës kolektive, shoqëria kosovare të lërë mënjanë dallimet personale dhe të fokusohet në veprime institucionale.

“Duhet të sillemi si shtet. Duhet shteti të jetë aty për qytetarët e vet këtu e atje në Hagë”, ka shkruar ajo.

Duke iu referuar katër të dënuarve, Hoxha ka shkruar se ata, sipas saj, duhet të shihen në kontekstin e rolit që kanë pasur gjatë luftës së Kosovës.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi ishin UÇK kur na çliruan. Ata ishin UÇK edhe dje kur i dënuan. Dje nuk u dënuan ata, u dënua UÇK-ja”, ka shkruar Hoxha.

Në fund të reagimit, Hoxha e cila është njëra prej themelueseve të platformës “Liria Ka Emër”, ka thënë se Kosova duhet të reflektojë dhe të veprojë me maturi e dinjitet, duke e mbyllur statusin me mesazhin: “Beteja për drejtësi vazhdon. Liri për çlirimtarët”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër