Balla: Projektligji për pagat e magjistratëve votohet sot në Kuvend

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kundërshtoi sot kërkesën e opozitës për të tërhequr nga rendi i ditës projektligjin që lidhet me statusin dhe pagat e magjistratëve.

Në nisje të seancës plenare, Balla tha se Këshilli i Legjislacionit e ka përfunduar shqyrtimin e çështjes dhe se tashmë i takon seancës plenare të shprehet për projektligjin.

“Kërkesa juaj nuk mund të miratohet, sepse Këshilli i Legjislacionit është shprehur”, tha Balla, ndërsa e cilësoi “hipokrit” qëndrimin e demokratëve, duke argumentuar se fillimisht akuzuan mazhorancën për vonesa dhe tani kërkojnë shtyrjen e votimit.

Balla tha se mazhoranca do të votojë kundër kërkesës së PD-së dhe se projektligji do të diskutohet sot në Kuvend.

“Kështu që vota jonë ndaj kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike është kundër, sepse kërkesa është hipokrite. Na u tha që jemi vonuar, tani na thoni meqë jemi vonuar duhet ta shtyjmë. Ka diskordancë qëndrimesh në raport me detyrën që ka Kuvendi, e votojmë sot”, shtoi Balla.

Ai iu drejtua gjithashtu Presidentit të Republikës, duke kërkuar bashkëpunim, nëse ligji miratohet të hyjë sa më shpejt në fuqi dhe, sipas tij, të zhbllokohet çështja e pagave të magjistratëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër