Shkup, 17 shtator, Zhurnal.mk – Rreth 10.800 nxënës që këtë vit janë regjistruar në vitin e parë në shkollat e mesme profesionale janë gjenerata e parë që do të mësojë sipas programeve të modernizuara mësimore me kompetenca STEM, duke përfshirë aftësi të gjelbra dhe digjitale në të gjitha drejtimet, njoftoi Zyra e UNICEF‑it në Maqedoni.
Reforma mbështetet me trajnim të 569 mësuesve, burime të reja për të nxënë dhe bashkëpunim të forcuar me sektorin privat. Qëllimi është që të rinjtë të fitojnë njohuri dhe aftësi që do t’u mundësojnë të zbatojnë praktika të qëndrueshme në vendet e ardhshme të punës dhe më lehtë t’u përgjigjen ndryshimeve të shkaktuara nga zhvillimi teknologjik dhe tranzicioni i gjelbër.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, vlerësoi se arsimi profesional po bëhet gjithnjë e më tërheqës për të rinjtë, ndërsa modernizimi duhet t’i ndihmojë ata të përgatiten për një treg pune që ndryshon shpejt dhe njëkohësisht t’u sigurojë kompanive kuadro me aftësi të nevojshme për rritje, inovacion dhe konkurrencë. Nga UNICEF theksojnë se tranzicioni i gjelbër po i ndryshon vendet e punës në pothuajse të gjitha sektorët. Kështu, nxënësit nga drejtimet ekonomike do të njihen me modele të gjelbra biznesi dhe inovacione të qëndrueshme, ndërsa ata nga drejtimet hoteleri‑turizëm do të mësojnë për zvogëlimin e mbeturinave të ushqimit dhe zbatimin e praktikave të qëndrueshme.
Reforma duhet të ndihmojë edhe në tejkalimin e hendekut mes vetëdijes ekologjike të të rinjve dhe njohurive e aftësive të tyre të lidhura me mjedisin jetësor.
Reformën e udhëheqin Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qendra për zhvillimin e arsimit profesional, me mbështetje teknike nga UNICEF dhe mbështetje financiare nga Qeveria e Suedisë dhe kompania “Nelt”.
Përfaqësuesja e UNICEF‑it, Leslie Miller, theksoi se përfshirja e kompetencave të gjelbra dhe digjitale në arsimin profesional është e rëndësishme që të rinjtë të jenë të përgatitur për ndryshimet ekonomike dhe klimatike.
Programet e reja, përveç njohurive teknike, parashikojnë zhvillimin edhe të aftësive për zgjidhjen e problemeve, inovacion dhe përshtatshmëri, me ç’rast, sipas UNICEF‑it, kontribuohet drejt qëllimeve të Strategjisë për Arsim 2026–2032 dhe Agjendës Reformuese 2024–2027.
