Vepra e një prej emrave më të rëndësishëm të kinemasë italiane, Luchino Visconti, do të jetë në fokus të edicionit të 24-t të Tirana International Film Festival (TIFF), përmes një programi të veçantë (RetrospecTIFF) homazh kushtuar regjisorit të njohur.
Publiku shqiptar do të ketë mundësinë të rizbulojë krijimtarinë e Visconti-t përmes tre prej filmave të tij, të cilët sjellin në ekran tema të shoqërisë, pasioneve, konflikteve dhe brishtësisë njerëzore.
Programi hapet më 22 shtator 2026, në orën 17:30, në kinema Millennium, me filmin “Ossessione” (1943), vepra e parë e gjatë e regjisorit dhe një prej titujve që shënoi një moment të rëndësishëm në zhvillimin e kinemasë italiane.
Një ditë më pas, më 23 shtator, në orën 20:00, në Kinema Agimi, do të shfaqet “Rocco e i suoi fratelli” (1960), dramë familjare dhe shoqërore që trajton përplasjet, ndryshimet dhe vështirësitë e një familjeje të ardhur nga jugu i Italisë në Milano.
Programi përmbyllet më 26 shtator, në orën 20:30, sërish në Kinema Millennium, me “L’innocente” (1976), filmi i fundit i Visconti-t, i bazuar në romanin e Gabriele D’Annunzio-s.
Përmes këtyre tre veprave, TIFF në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, sjell në kryeqytet një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së Luchino Visconti-t, duke i dhënë publikut mundësinë të rikthehet te një autor që ndërthurte në mënyrë të veçantë dimensionin estetik të filmit me portretizimin e shoqërisë dhe kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore.
Programi homazh për Visconti-n është një tjetër mundësi për të parë në ekranin e madh vepra që vijojnë të ruajnë rëndësinë e tyre artistike dhe të dëshmojnë forcën e kinemasë italiane.
