Shkup, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Ka dalë nga shtypi monografia “Himni i Nënës Terezë – Valsi Hyjnor”, e autores Dijana Toska, një botim që sjell para lexuesve një rrugëtim të gjatë kujtimesh, dëshmish dhe emocionesh, të lidhura me historinë e krijimit dhe interpretimit të një himni kushtuar Nënës Terezë, raporton gazeta KOHA.
Monografia dokumenton historinë e lindjes së himnit, rrugëtimin e tij nga Prishtina deri në Vatikan, si dhe jehonën e një ngjarjeje që ndërthur artin, besimin dhe identitetin shqiptar në nderim të figurës së Nënës Terezë. Përmes këtij botimi, gazetarja dhe publicistja Toska synon të ruajë kujtesën e një ngjarjeje të veçantë, duke e shndërruar atë nga një përjetim personal dhe artistik në një dëshmi të shkruar për brezat e ardhshëm.
“Një rrugëtim i gjatë kujtimesh, dëshmish dhe emocionesh, tashmë i përjetësuar mes faqeve të një libri”, shkruan Dijana Toska për daljen nga shtypi të monografisë.
Botimi merr një domethënie të veçantë edhe për shkak të përvjetorit të dhjetë të shenjtërimit të Nënës Terezë, e cila u shpall shenjtore më 4 shtator 2016 në Vatikan. Në këtë kontekst, monografia paraqitet si një përulje para madhështisë së saj dhe si një përpjekje për të ruajtur kujtesën historike e shpirtërore të ngjarjeve që lidhen me nderimin e figurës së saj.
Në qendër të veprës qëndron himni kushtuar Nënës Terezë, ndërsa vetë titulli “Valsi Hyjnor” përcjell dimensionin artistik dhe shpirtëror të këtij rrëfimi. Libri synon të dëshmojë se si një krijim artistik mund të shndërrohet në pjesë të kujtesës kolektive, duke lidhur njerëz, vende dhe përjetime përtej kufijve gjeografikë. “Një histori që meritonte të mos mbetej vetëm kujtim, por të bëhej dëshmi për brezat që vijnë”, shkruan autorja. (koha.mk)

