Shkup, 18 shtator Zhurnal.mk – “Një klikim mund të mjaftojë për të paralizuar një sistem të tërë. Sulmet kibernetike po bëhen gjithnjë më të shpeshta dhe metodat e hakerëve po sofistikohen nga dita në ditë. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ende nuk ka kapacitete të mjaftueshme për t’u mbrojtur nga këto kërcënime. Në shënjestër janë sektorët kyç si energjetika dhe bankat, pra sektori finaciar, ku një sulm i vetëm mund të shkaktojë pasoja të drejtpërdrejta për institucionet, bizneset dhe qytetarët.”
“Krimi kibernetik është si ekonomia e tretë në botë dhe është një rrezik jo vetëm për institucionet, por edhe për vetë njerëzit. Nëse i referohemi shtetit, sa i përket sulmeve kibernetike, shohim këtë vit një rritje të madhe krahasuar me vitin e kaluar. Sipas sektorëve që mund t’i përmend si më të sulmuarit, janë sektorët e energjetikës, si sektor kritik në shtet, gjithashtu edhe sektori bankar ose sektori financiar.” – tha Sevdail Selmani nga Agjencia për Komunikime Elektronike.
Ekspertët paralajmërojnë se sulmet kibernetike nisin shpesh me metoda të thjeshta, por që mund të çojnë në pasoja serioze. Një ndër format më të përdorura është “peshkimi” online, i njohur si fishing, përmes të cilit hakerët synojnë të mashtrojnë përdoruesit dhe të marrin të dhëna personale.
“Format më të shpeshta të sulmeve janë format e peshkimit, apo fishing-ut. Faktikisht, është metoda e parë, ai hapi i parë me të cilin aktorët keqdashës arrijnë qëllimin e tyre për të ardhur deri te një vjedhje, një mashtrim apo për të bërë që një sistem të mos funksionojë. Kemi disa lloje apo nënlloje të fishing-ut. Mund të pranoni porosi nëpërmjet e-mailit, mund të pranoni një mesazh në Viber, ËhatsApp ose SMS dhe në atë porosi apo mesazh të jetë shkruar diçka që është urgjente, me qëllim që të klikoni në një link, të infektohet pajisja juaj dhe pastaj të vazhdojë metoda e ardhshme, që është inxhinieria sociale. Në këtë mënyrë, ata arrijnë qëllimin e tyre.” – u shpreh Selmani.
Përveç sulmeve ndaj sistemeve të mëdha, këtë vit është rritur ndjeshëm edhe numri i mashtrimeve online ndaj qytetarëve. Përmes reklamave në rrjetet sociale, ofertave të rreme për punë, mesazheve mashtruese dhe linkeve të dyshimta, qytetarët po bien gjithnjë e më shpesh pre e mashtrimeve.
Sipas Selmanit, në Qendrën Nacionale për Përgjigje ndaj Incidenteve Kompjuterike, numri i ankesave është rritur ndjeshëm dhe në mënyrë alarmante krahasuar me vitin e kaluar.
Përballë rritjes së këtyre kërcënimeve, forcimi i sigurisë kibernetike mbetet një sfidë për institucionet dhe sektorët kritikë.
