Hagë, 19 shtator Zhurnal.mk – Debati për të ardhmen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë është rikthyer në qendër të zhvillimeve politike në Kosovë, pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në Kosovë janë shtuar kërkesat për zhbërjen e Dhomave të Specializuara, ndërsa një kërkesë e tillë u artikulua edhe gjatë protestës së mbajtur në mbështetje të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Megjithatë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë kanë bërë të ditur se mandati i këtij institucioni vazhdon, pa dhënë detaje nëse dhe kur mund të përfundojnë procedurat e tij.
Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Chris Bennett, tha se institucioni nuk komenton ekzistencën apo hollësitë e hetimeve, përfshirë kohën e përfundimit të mandatit.
“Mandati i Zyrës së Prokurorit të Specializuar vazhdon derisa Këshilli i Bashkimit Evropian t’i njoftojë institucionet e Kosovës se hetimet dhe çdo procedurë që rrjedh prej tyre kanë përfunduar”, tha Bennett në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, kundërshtimi ndaj vendimit të shkallës së parë ka kaluar edhe në Kuvendin e Kosovës. Disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë kërkuar që të mbahet një seancë për shqyrtimin e mundësisë së zhbërjes së Dhomave të Specializuara.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i pyetur për mundësinë e zhbërjes së Speciales, tha se “të gjitha veprimet demokratike dhe ligjore janë të mundshme”.
Kërkesat politike për zhbërjen e Dhomave të Specializuara vijnë në një kohë kur proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdojnë të jenë në qendër të debatit publik dhe politik në Kosovë.
