Hoxha: Thellojmë bashkëpunimin me Gjermaninë për politikat klimatike dhe mbrojtjen e natyrës

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Zhabljak, 19 shtator Zhurnal.mk – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, ka zhvilluar takim me Sekretaren e Shtetit në Ministrinë Federale të Mjedisit, Veprimit Klimatik, Mbrojtjes së Natyrës dhe Sigurisë Bërthamore të Gjermanisë, Bettina Hagedorn.

Takimi u zhvillua në margjinat e Takimit Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, i cili po mbahet në Mal të Zi.

Hoxha bëri të ditur se në takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë në fushën e politikave klimatike, mbrojtjes së natyrës dhe zbatimit të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

“Biseduam për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë në fushën e politikave klimatike, mbrojtjes së natyrës dhe zbatimit të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Hoxha.

Ministri theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Gjermanisë për zhvillimin e gjelbër dhe përpjekjet e përbashkëta për një zhvillim më të qëndrueshëm të rajonit.

“Theksova rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme gjermane për zhvillimin e gjelbër dhe përpjekjeve të përbashkëta për krijimin e një të ardhmeje më të pastër, më të qëndrueshme dhe më rezistente për rajonin tonë”, u shpreh ai.

Hoxha tha se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë dialogun dhe bashkëpunimin me Gjermaninë në realizimin e prioriteteve të përbashkëta në fushën e mjedisit dhe klimës.

“Vazhdojmë dialogun e hapur dhe bashkëpunimin e fortë me Gjermaninë në realizimin e prioriteteve tona të përbashkëta të gjelbra”, përfundoi ministri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër