Shkup, 19 shtator Zhurnal.mk – Kanceri nuk zgjedh as moshën, as profesionin, as historinë e jetës. Por ajo që mund të bëjë ndryshimin është zbulimi në kohë. Diagnoza e ndryshon përditshmërinë, por nuk duhet ta marrë shpresën.
Pas çdo diagnoze qëndron një njeri. Nënë, bashkëshorte, vajzë, motër, shoqe. 47-vjeçarja Natasha Buballova, me profesion stiliste mode, prej pesë vitesh po e përballon me vendosmëri betejën me këtë sëmundje tinëzare.
„Sëmundja duhet të kuptohet si një periudhë që duhet ta kalojmë“, porosit Natasha.
Përballja me kancerin nuk është vetëm mjekësore – ajo është personale, familjare dhe njerëzore. Por mbështetjen më të madhe pacientet onkologjike e marrin nga bashkëluftëtaret e tyre nga Shoqata „Hema Onko“, pasi ato më së miri mund ta kuptojnë se si ndihen.
Me mesazhin se parandalimi, kontrollet e rregullta dhe diagnostikimi i hershëm mund të shpëtojnë jetë, në Draçevë u mbajt një tribunë edukative, ku mjekë, punonjës shëndetësorë dhe persona me përvojë personale me sëmundjen folën hapur për frikën, por edhe për shpresën.
Sipas njoftimit, fushata do të vazhdojë me një tjetër tribunë më 26 shtator, ndërsa do të përmbyllet me një Piknik Rozë në „Shkolka“, në Parkun e Qytetit.
