Kurti bën homazhe për vëllezërit Bytyqi në New York: Drejtësia ende mungon, do ta kërkojmë bashkë me SHBA-në

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në New York në kujtim të vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, të cilët i ka përshkruar si luftëtarë të lirisë nga Batalioni Atlantiku, qytetarë amerikanë dhe dëshmorë të kombit shqiptar, shkruan Telegrafi.

Kurti ka bërë të ditur se në homazhe ishte së bashku me familjen Bytyqi, kryebashkiaken e Fairview City, Violetta Berisha, përfaqësues të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe kolegë e bashkëpunëtorë.

“Vëllezërit Bytyqi, me veprat e tyre fisnike, përfaqësojnë vlerat më të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të popullit tonë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se përmes sakrificës së tyre nderohet edhe mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara, e cila, sipas tij, i qëndroi pranë Kosovës në periudhat më të vështira.

Kurti ka treguar se gjatë takimit, Ilir Bytyqi ka folur për burgosjen e tre vëllezërve të tij, transferimin e tyre, torturimin dhe vrasjen e tyre.

“Një histori që të tronditë secilën herë që e dëgjojmë a ridëgjojmë. Në bisedë, Iliri foli për burgosjen e tre vëllezërve të tij, transferimin e tyre për t’u torturuar dhe shpërfytyrimin e trupave të tyre me plumba, me qëllim që të fshiheshin gjurmët. Trupat e tyre më pas u hodhën në varre masive”, ka shkruar Kurti.

Sipas kryeministrit, rasti i vëllezërve Bytyqi dëshmon për krimet e kryera nga forcat shtetërore serbe, por edhe për mungesën e drejtësisë edhe 27 vjet më vonë.

“Kalimi i kohës nuk e zbeh krimin dhe as nuk e shuan detyrimin për përgjegjësi”, ka theksuar ai.

Kurti ka bërë të ditur se Kosova do të vazhdojë, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të kërkojë të vërtetën dhe drejtësinë për Yllin, Agronin dhe Mehmet Bytyqi.

“Prandaj, bashkë me shtetin amerikan, do të vazhdojmë ta kërkojmë të vërtetën dhe drejtësinë për Yllin, Agronin dhe Mehmetin”, ka shkruar Kurti.

Në fund, ai ka shprehur mirënjohje për Shtetet e Bashkuara dhe mërgatën shqiptare për mbështetjen ndaj Kosovës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër