Gjykimi për zjarrin në “Puls” filloi nga e para: 13 policë sërish para Gjykatës

Nga D V
23 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 shtator, Zhurnal.mk – Gjykimi kundër 13 punonjësve policorë të akuzuar për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, të lidhura me zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, ka filluar nga e para për shkak të ndryshimit në përbërjen e Këshillit gjykues.

Nga Gjykata informojnë se njëri nga gjyqtarët porotë ka njoftuar se për arsye shëndetësore më shumë se një muaj nuk do të mund të marrë pjesë në gjykime. Ndërsa poroti i dytë ka theksuar se për shkak të angazhimeve të tjera nuk do të marrë më pjesë në proceset gjyqësore.

Gjykimin e udhëheq gjyqtarja Fanka Jançuleva Mihajllovska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson prokurorja publike Spasenka Andonova.

Prokuroria mbetet plotësisht në aktakuzë, konfirmoi Andonova.

Të akuzuarit Dejan Saltirovski, Vanço Georgievski, Marija Manevska, Tome Donev, Dragan Petrushev, Kire Bogatinov, Stojançe Filipov, Blagica Miteva, Kristina Nikolova, Mazllum Ramadanov, Darko Miloshevski, Martin Arsovski dhe Marijan Radevski sërish u deklaruan para Gjykatës lidhur me aktakuzën. Të gjithë pohuan se mbeten në dëshmitë e dhëna më parë dhe nuk e pranojnë fajin.

Nga Gjykata informojnë se provat materiale të paraqitura deri më tani dhe dëshmitarët e dëgjuar merren në procedurën e re, pas së cilës vazhdon paraqitja e provave me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.

Rasti ka të bëjë me zjarrin tragjik që shpërtheu më 16 mars në diskotekën “Puls” në Koçan, ku jetën e humbën 63 persona, ndërsa mbi 200 u plagosën.

Sipas aktakuzës, punonjësit policorë që ishin në detyrë në periudhën kritike njëkohësisht ishin të angazhuar edhe në diskotekë, por nuk e ndërprenë festën dhe nuk e penguan përdorimin e mjeteve piroteknike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër