Organizatori i protestave, Çlirim Haziri: Deputetët duhet të reagojnë, nuk presim deri në pafundësi

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Organizatori i protestave kundër vendimit të Gjykatës Speciale, Çlirim Haziri, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të reagojnë dhe të angazhohen për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ai ka paralajmëruar se, nëse nuk ka reagim, protestuesit mund të ndërmarrin veprime të tjera.

Në një intervistë për emisionin RADAR në Radio Dukagjini, Haziri ka thënë se protestuesit nuk do të presin pafundësisht për reagimin e deputetëve.

“Sot po presim a po reagon dikush prej deputetëve të Kuvendit të këtij vendi, por nuk do të presim deri në pafundësi. Ne, përveç kërkesës tonë paqësore, nëse do të ketë nevojë, duhet të shkojmë në Kuvend, duhet t’i ftojmë deputetët. Ndoshta nuk janë duke na parë, e disa do të na shohin më vonë. Por, çkado që është e nevojshme të bëhet për historinë tonë kombëtare, për UÇK-në, rinia e Kosovës dhe ata njerëz që po i shohim çdo natë, janë të gatshëm të bëjnë për UÇK-në”, ka thënë Haziri.

Ai ka theksuar se protestuesit po demonstrojnë në mënyrë dinjitoze dhe se e kanë për obligim të ruajnë vendin dhe institucionet, por ka shtuar se këto institucione nuk mund të konsiderohen të tyre nëse nuk e trajtojnë historinë kombëtare.

“Jemi njerëz që po protestojmë dinjitetshëm dhe e kemi obligim ta ruajmë vendin dhe institucionet, por ato nuk mund të jenë tonat nëse nuk e trajtojnë historinë tonë kombëtare. Deputetët kanë nevojë të reflektojnë dhe besoj që kanë për të reflektuar”, ka deklaruar ai.

Haziri ka thënë se pret reagim nga deputetët shqiptarë të Kuvendit, duke e cilësuar UÇK-në si çështje që i përket të gjithë deputetëve shqiptarë, përveç Listës Serbe.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër