Tiranë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve administron 20 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale, me një kapacitet të përgjithshëm prej 5293 personash.
Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi bëri me dije në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale se numri aktual i personave të akomoduar në këto institucione është 4306.
Sipas Kupit, nga 20 institucionet, 16 janë të ndara në paraburgim dhe burgim, ndërsa një institucion është i dedikuar për trajtimin e të miturve në Kavajë dhe një për trajtimin e grave dhe femrave në Pojskë të Pogradecit. Në sistem përfshihen gjithashtu edhe Instituti Mjekësor i Veçantë në Lezhë dhe Spitali i Burgjeve në Tiranë.
“2291 persona janë të paraburgosur, 1521 janë të dënuar, ndërsa 445 shtetas janë nën masën e mjekimit të detyruar dhe trajtohen në Institutin e Posaçëm Mjekësor në Lezhë. Në qendrat e sigurisë së burgjeve janë të akomoduara edhe 36 gra nën masën e mjekimit të detyruar”, tha Kupi.
Kupi theksoi se sistemi penitenciar nuk paraqet mbipopullim, ndërsa shfrytëzimi i kapacitetit të përgjithshëm është në masën 81,4%, rreth 987 persona më pak se kapaciteti total.
“Çështja parësore e sistemit penitenciar është siguria në burgje, e cila nuk matet me muret apo numrin e efektivëve. Ajo matet me aftësinë për të parandaluar incidente, për të kontrolluar sende të ndaluara, për të menaxhuar personat me rrezikshmëri të lartë etj.”, u shpreh Kupi.
Sipas tij, gjatë vitit 2026 janë intensifikuar kontrollet nëpërmjet analizës së riskut. Deri në muajin shtator janë ushtruar 4256 kontrolle, gjatë të cilave janë bllokuar 185 sende të ndaluara, përfshirë 92 telefona celularë.
Në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë është instaluar edhe sistemi antidron, me synim rritjen e kapaciteteve për evidentimin e tentativave për futjen e sendeve të ndaluara.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve tha se gjatë vitit janë evidentuar edhe ngjarje që kanë nxjerrë në pah dobësi në sistem, ndërsa janë forcuar mekanizmat e kontaktit me qytetarët dhe familjarët. Sipas tij, janë administruar mijëra komunikime elektronike.
Kupi pohoi se sa i përket strukturës së burimeve njerëzore, sistemi penitenciar ka aktualisht në organikë 4524 punonjës, prej të cilëve 3434 janë pjesë e stafit policor dhe 1090 staf civil.
