Trump: Nuk po sulmojmë shtypin e lirë, por “lajmet e rreme”

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 21 shtator, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtëpia e Bardhë nuk po sulmon shtypin e lirë, por atë që ai e cilëson si “lajme të rreme”, duke i konsideruar ato një kërcënim për sigurinë kombëtare.

“Nuk po i shpallim luftë shtypit të lirë, një vlerë që e kam për zemër. Po luftojmë lajmet e rreme, një fenomen që është përhapur si kancer dhe që është një kërcënim për sigurinë tonë kombëtare. Duhet të ndalet”, shkroi Trump në rrjetin e tij social “Truth Social”.

Deklarata e tij vjen pasi CNN, MS NOW dhe “Politico” njoftuan se do të ngrenë padi kundër administratës amerikane, pasi Shtëpia e Bardhë u ka hequr gazetarëve të këtyre medieve, kredencialet për të hyrë në kompleksin presidencial.

Tre organizatat mediatike argumentojnë se vendimi cenon të drejtat e tyre kushtetuese për lirinë e shtypit.

Ato thanë se do të kërkojnë ndërhyrjen e gjykatës federale, për rikthimin e aksesit dhe mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve.

Gazetarët e CNN, MS NOW dhe “Politico” u ndaluan të shtunën të hynin në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa disa prej tyre raportuan se kredencialet e shtypit iu çaktivizuan ose iu konfiskuan.

Trump kishte njoftuar më parë se do të ndalonte hyrjen e këtyre tri medieve, duke i akuzuar për publikimin e “lajmeve të rreme” dhe të materialeve që, sipas tij, përmbajnë “gënjeshtra” për të, administratën e tij dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në padinë e paralajmëruar, mediet pritet të argumentojnë se heqja e kredencialeve, për shkak të përmbajtjes së raportimeve, përbën shkelje të Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane, që mbron lirinë e shtypit, si edhe të së drejtës për proces të rregullt ligjor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër