Shpërtheu me gola në Turqi, Vedat Muriqi gati për ta drejtuar Kosovën në misionin e ri

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Pasi ‘shpërtheu’ me Fenerbahcen, ku vetëm në sfidën e fundit realizoi plot katër gola, sulmuesi Vedat Muriqi nuk ka humbur kohë dhe menjëherë ka udhëtuar për në Prishtinë, ku do të përfaqësojë Kosovën në Ligën e Kombeve.

Ylli dardan kishte një verë të gjatë këtë vit. Fillimisht, kompletoi rikthimin te Fenerbahce, pasi ish-klubi Mallorca ra në La Liga 2. Aty pësoi një lëndim në stërvitje, gjë që ia shtyu debutimin e dytë për gjigantin turk për disa javë.

Sidoqoftë, me rikuperimin e plotë nga lëndimi – Muriqi menjëherë e gjeti formën më të mirë te Feneri, ku shënoi vazhdimisht gola për ta ndihmuar klubin që të sigurojë inkuadrimin në Ligën e Kampionëve.

Edhe pse Fenerbahce e siguroi transferimin e Romelu Lukakut, një gjë tashmë është e qartë – Muriqi e ka vendin në 11-shen bazë. Në shtatë ndeshjet e fundit, ylli i Kosovës ka realizuar plot shtatë gola si dhe kontribuar me një asistim në proces.

Gjashtë golat e tij në Superligën e Turqisë e bëjnë të jetë në garë edhe për Këpucën e Artë në elitën turke, ku në garë është me emra elitar si Victor Osimhen, Mohamed Salah apo ish-dështaku i Juventusit, Dusan Vlahovic.

Një vlerësim tepër i lartë edhe nga SofaScore

Muriqi është vlerësuar tepër lartë edhe nga e përditshmja e statistikave “SofaScore”, të cilët i dhanë notën 10.0 në përballjen e fundit ndaj Eyupspor, ku shënoi plot katër gola nga triumfi 8-0.

Përpos saj, Muriqi u vlerësua me 7.9 ndaj Samsunspor, 7.4 në sfidën vendimtare kundër Lyonit, 7.8 ndaj konaspor si dhe 7.1 kundër Genclerbirligi.

Me këto vlerësime, edhe statistikisht po dëshmohet se Muriqi po e vazhdon formën e karrierës që e kishte te Mallorca, por këtë herë me një objektiv më të madh, për ta fituar titullin e kampionit në Turqi.

Tani, koha për Kombëtaren e Kosovës

Kishte shumë pikëpyetje sa i përket Muriqit lidhur me Kombëtaren e Kosovës. Sulmuesi prizrenas kishte deklaruar pas play-offit të finales se po e konsideron pensionimin dhe që faktikisht do të ishte pensionuar nëse do të kualifikoheshim në Botëror.

Megjithatë, Muriqi duket i vendosur për ta kualifikuar Kosovën në një turne madhor, kësisoj iu përgjigj pozitivisht thirrjes së përzgjedhësit Franco Foda për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Qendërsulmuesi edhe pse luajti të dielën ndaj Eyupspor, ai të hënën udhëtoi menjëherë për në Prishtinë, që të bashkohet me grupin dhe të mos mungojë në asnjë seancë stërvitore.

Kësisoj, Muriqi pritet të jetë kapiteni i ri i Kosovës, duke qenë që Amir Rrahmani vendosi të pensionohet, ndërsa për objektiv fillimisht do ta ketë promovimin në Ligën A.

Përndryshe, rikujtojmë se Kosova do të përballet me Irlandën këtë të enjte (24 shtator), pastaj udhëton për të luajtur ndaj favoritit Austrisë (27 shtator), më pas për në Hungari, pra vend neutral ku zhvillohet sfida me Izraelin (1 tetor) dhe do ta presë Austrinë në Prishtinë (4 tetor).

Kualifikimi ose qoftë edhe vendi i dytë në këtë Ligë, do të bënte që Kosova të gjendej në vazon e dytë për shortin e Kampionatit Evropian 2028, i cili do të tërhiqet në muajin dhjetor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër