Begaj: Investimet në mbrojtje dhe partneriteti me NATO-n, kyçe për sigurinë kombëtare

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Presidenti Bajram Begaj ndoqi nga afër finalizimin e stërvitjes “Mburoja e Arbrit 2026” të Grup-batalionit të Këmbësorisë së Lehtë që u zhvillua në Bizë, i cili u certifikua “I aftë për mision” sipas standardeve të NATO-s.

Në fjalën përshëndetëse që mbajti në këtë ceremoni, Begaj e vlerësoi certifikimin si dëshmi të progresit të Forcave të Armatosura, përgatitjes së lartë, disiplinës e profesionalizmit dhe si një standard që duhet ruajtur.

“Sot, këtu në Bizë, ju dëshmuat jo vetëm përgatitje të lartë taktike, por edhe rezistencë e karakter të fortë ushtarak. Ju treguat aftësinë për të planifikuar,  për të koordinuar dhe për të vepruar në një mjedis kompleks operacional”, tha Begaj.

Sipas tij, gatishmëria ushtarake ndërtohet çdo ditë përmes stërvitjes dhe profesionalizmit.

Si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Kreu i Shtetit theksoi se në kontekstin e sfidave të sigurisë, përfshirë luftën në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme, kërcënimet hibride, sulmet kibernetike dhe dezinformimin, rreziqet prekin dhe rajonin tonë, ndaj nevojitet forcimi i mbrojtjes që të garantohet siguria kombëtare.

“Ringjallja e nacionalizmit, retorika përçarëse, tensionet etnike dhe përpjekjet e aktorëve keqdashës për të shfrytëzuar dobësitë tona mund të cenojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit. Pikërisht për këtë arsye, ne duhet të investojmë te siguria përpara se pasiguria të trokasë në dyert tona. Paqja nuk ruhet me pasivitet apo thjesht vetëm me deklarata. Ajo mbrohet me gatishmëri, stërvitje, me aleanca të qëndrueshme dhe me një Forcë të Armatosur të mirëpajisur dhe të përgatitur”, theksoi Begaj.

Një rëndësi të veçantë në këtë përshëndetje Presidenti i Republikës i kushtoi partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, duke theksuar se Forcat e Armatosura janë të afta të kontribuojnë përkrah aleatëve dhe aty ku kërkohet.

“Të jesh vlerësuar “I aftë për mision” nuk është një titull që mbetet në arkivat e një stërvitjeje. Është aftësia reale për t’u dislokuar dhe për të vepruar me efikasitet operacional kudo dhe kurdo që kërkohet, përkrah aleatëve tanë”, tha Begaj.

Kreu i Shtetit risolli në vëmendje dhe  investimet në industrinë e mbrojtjes, për modernizimin e strukturave, zhvillimit të kapaciteteve ushtarake, infrastrukturës dhe garantimit të sigurisë kombëtare.

“Arritjet e Forcave tona të Armatosura nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen e palëkundur të aleatëve tanë në NATO. Dua të vlerësoj në mënyrë të veçantë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbështetja amerikane ka qenë e vazhdueshme dhe përcaktuese për rritjen e kapaciteteve tona mbrojtëse”, tha Begaj.

Me këtë rast, Begaj i përcolli një mesazh të veçantëmirënjohjeje Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit, përmes komandantes, gjeneral brigade Yvonne L. Mays, e pranishme në këtë ceremoni.

Në fund të fjalës, Kreu i Shtetit i garantoi ushtarakët se si Presidenti i Republikës dhe si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura do të mbështesë çdo nismë që përmirëson kushtet e shërbimit, karrierës, mirëqenies së ushtarakëve dhe familjeve të tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër