Në Singapor, këmbët mbi ulëse mund t’ju kushtojnë deri në 400 dollarë

Nga D V
23 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Nëse mendoni të vendosni këmbët mbi ulësen e autobusit, në Singapor mund t’ju kushtojë shtrenjtë.

Autoritetet kanë vendosur rregulla të reja dhe gjoba që mund të arrijnë deri në 500 dollarë singaporianë, rreth 400 dollarë amerikanë.

Autoriteti i Transportit Tokësor (LTA) njoftoi se pasagjerët që hanë në autobusë ose vendosin këmbët mbi sedilje mund të përballen me gjobë.

Masat janë pjesë e rregullave strikte që kanë bërë që Singapori të njihet shpesh si “Fine City”, një lojë fjalësh që nënkupton njëkohësisht “qytet i gjobave” dhe një qytet i pastër e i rregullt, transmeton Telegrafi.

Dënimet janë edhe më të larta për rastet kur dikush ndot autobusin ose krijon rrezik për pasagjerët e tjerë. Në këto raste, gjoba mund të arrijë deri në 5 mijë dollarë singaporianë, rreth 3,900 dollarë amerikanë.

Udhëzimet zyrtare përfshijnë si raste të rënda të ndotjes veprime si të vjellat, urinimi, pështyrja, derdhja e lëngjeve trupore, por edhe ndotja e ulëseve, dyshemesë apo mbajtëseve me ushqim, baltë ose yndyrë.

Singapori ka një histori të gjatë me rregullat strikte në hapësirat publike, përfshirë gjobat për hedhjen e mbeturinave dhe pirjen e duhanit në zona të ndaluara.

Madje, në vitin 1992, vendi ndaloi shitjen e çamçakëzit, pasi mbetjet e tij shkaktonin probleme në sistemin e metrosë, duke u ngjitur në dyert e trenave dhe duke penguar sensorët.

Me rregullat e reja, autobusët afrohen me standardet që tashmë zbatohen në rrjetin e transportit Mass Rapid Transit (MRT).

Sipas LTA-së, qëllimi është krijimi i një transporti publik “më të sigurt, më të respektueshëm dhe më të këndshëm”.

Autoriteti theksoi gjithashtu se zyrtarët do të tregojnë diskrecion dhe drejtësi, veçanërisht kur shkelja lidhet me persona që kanë probleme fizike ose të shëndetit mendor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër