Irani sekuestron pasuritë e qindra personave që i quan “armiq të shtetit”

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Teheran, 22 shtator, Zhurnal.mk – Në kuadër të fushatës kundër kritikëve të qeverisë, drejtësia iraniane ka sekuestruar mijëra llogari bankare dhe dhjetëra automjete që u përkasin rreth 400 personave.

Lajmi u raportua të martën nga agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim”, duke cituar Prokurorinë e Teheranit.

Sipas raportit, janë sekuestruar gjithsej 2 191 llogari bankare dhe 39 automjete. Autoritetet iraniane i kanë cilësuar pronarët e tyre si “armiq të shtetit”.

Drejtësia iraniane pretendon se personat e prekur, kanë bashkëpunuar me armikun dhe me forca që kundërshtojnë regjimin.

Nuk është bërë e ditur se gjatë cilës periudhë janë kryer këto sekuestrime.

Sipas raportimeve të mëparshme, kundërshtarëve të qeverisë u janë marrë edhe 143 prona të paluajtshme, si banesa apo ambiente të tjera.

Autoritetet nuk kanë publikuar informacion të detajuar për identitetin e personave të prekur.

Megjithatë, “Tasnim” raportoi se mes tyre janë edhe punonjës të medieve që punojnë për media iraniane me seli jashtë vendit.

Sipas raportit, janë sekuestruar gjithashtu pasuri që u përkasin “aktivistëve dhe personave që punojnë për media armiqësore”, si dhe disa personave që autoritetet i konsiderojnë “tradhtarë” dhe që ndodhen jashtë Iranit.

Vetëm javën e kaluar, mediet iraniane raportuan krijimin e një portali online, ku mund të denoncohen persona që dyshohet se kritikojnë Iranin nga jashtë vendit.

Sistemi i mbikëqyrjes, i quajtur “Alaj” (Shërim), synon të identifikojë personat që autoritetet i konsiderojnë “tradhtarë”.

Lufta në të cilën është përfshirë Irani, ka rritur mosbesimin brenda shoqërisë iraniane, megjithëse ende nuk dihet se sa gjerësisht do të përdoret ky portal.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër