Kinemaja botërore zbret në Tiranë, TIFF 2026 nis edicionin e 24-t me “Mother”

Nga D V
61 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tirana International Film Festival çeli zyrtarisht mbrëmjen e së hënës edicionin e 24-t, me temën “Bring it back! HUMANOGRAPHY”, e cila vendos në qendër jo vetëm historitë që shfaqen në ekran, por edhe njerëzit, proceset dhe vendimet që qëndrojnë pas krijimit të tyre.

Ceremonia e hapjes nisi me Special Screening të filmit “Mother”, me regji të Teona Strugar Mitevskës, e cila u nderua gjithashtu me Çmimin e Nderit të festivalit. Filmi rrëfen një moment vendimtar në jetën e Nënë Terezës, në Kalkutë, në vitin 1948, ku besimi, ambicia dhe ndjenja e detyrës përplasen, duke e vendosur atë përballë një dileme të thellë personale.

Filmi pati premierën si pjesë e seksionit Orizzonti në edicionin e 82-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, ndërsa më pas u vlerësua edhe me Çmimin për Kontributin më të Mirë Artistik në Tokyo International Film Festival. “Mother” sjell një portret intim dhe njerëzor të Nënë Terezës, njëkohësisht një prej figurave më të njohura të shekullit XX.

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishme edhe producentja dhe aktorja Labina Mitevska, së bashku me regjisoren Teona Strugar Mitevska. Në ditët në vijim, të dyja do të zhvillojnë seminare (masterclass) të dedikuara, ndërsa Labina Mitevska do të ndalet veçanërisht te procesi i zhvillimit dhe prodhimit të filmit Mother.

Teona Strugar Mitevska është një prej autoreve më të njohura të kinemasë së Maqedonisë së Veriut. Ndër veprat e saj është edhe God Exists, Her Name Is Petrunya, film i vlerësuar me më shumë se 20 çmime ndërkombëtare, përfshirë Ecumenical Prize dhe Guild Film Prize në Gjermani.

Edicioni i 24-t do të prezantojë 229 filma nga 71 vende, mes tyre 27 filma të gjatë dhe 202 filma të shkurtër. Të gjithë filmat janë premiera botërore, ndërkombëtare, rajonale ose kombëtare. Me temën “Bring it back! HUMANOGRAPHY”, ky edicion i TIFF synon të sjellë një vështrim më të thelluar mbi sfidat, proceset krijuese dhe vendimet që fshihen pas realizimit dhe zhvillimit të një filmi.

Pas ceremonisë së hapjes, TIFF 2026 vijon ditët e tij të festivalit me filma, takime, masterclass-e dhe aktivitete që vendosin në qendër kinemanë dhe njerëzit që e krijojnë atë. Artdashësit do të mund të ndjekin veprimtarinë e TIFF-it  në këto vendtakime:

Kinema Millennium

Agimi Art Center

Kino Piramida

Maks Velo Cinema

Vila 31 x Art Explora

Tunèl Terrace

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër