Në Shqipëri është hapur edicioni i 32-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës (Tirana International Fair 2026).
Ceremonia e hapjes është mbajtur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve të ndryshme, përfaqësuesve të shoqatave të biznesit dhe përfaqësuesve të kompanive dhe institucioneve pjesëmarrëse në panair.
Nën temën “Windows into the Future”, ky edicion do të zhvillohet në datat 3-6 nëntor, duke sjellë sipas organizatorëve një organizim të strukturuar në pesë ekspozita të specializuara, që ndërthurin industritë kryesore të zhvillimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.
Panairi (3-6 nëntor) organizohet nga zyra e Klik Ekspo Group and Tirana International Fair dhe do të marrin pjesë kompani shqiptare dhe ndërkombëtare nga rajoni dhe më gjerë, në fusha si ndërtimi, energjia, industria e rëndë dhe e lehtë, tekstilet dhe sektorë të tjerë.
Panairi do të mirëpresë mbi 250 kompani ekspozuese, nga të cilat 60 për qind të huaja dhe 40 për qind shqiptare, 15 ente shtetërore, përfaqësues nga mbi 12 vende, si dhe shoqata biznesi dhe dhoma tregtie.
Ky edicion, sipas organizatorëve synon të krijojë një platformë të rëndësishme për bashkëpunimin ekonomik, promovimin e inovacionit dhe forcimin e lidhjeve ndërkombëtare të biznesit.
Gjatë ditëve të panairit do të organizohen edhe aktivitete dhe konferenca të ndryshme.
