“17”, kandidati nga Maqedonia për “Oscar” me premierë në Shkup

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Në kuadër të programit të edicionit të 26-të të Skopje Film Festival, në mbrëmje në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë (TKM), publiku shkupjan do të ketë mundësinë të shohë në premierë filmin „17“, kandidatin zyrtar maqedonas për çmimin „Oscar“ në kategorinë Filmi Artistik Ndërkombëtar më i Mirë.

Ky film shënon debutimin e regjisores në metrazh të gjatë artistik Kosara Mitiq, e cila me filmin e saj të parë sjell një zë autorial të freskët, autentik dhe të guximshëm në kinematografinë vendase. Filmi „17“ paraqet një vështrim delikat dhe emocionalisht të ashpër mbi rritjen, betejat personale dhe sfidat e brezit të ri, duke ngritur pyetje mbi identitetin, lirinë dhe vetëgjetjen.

Premiera solemne do të fillojë me parakalim në qilimin e kuq me nisje nga ora 20:30, ku do të mbërrijnë regjisorja Kosara Mitiq, ekipi i aktorëve dhe autorët e filmit, së bashku me shumë mysafirë vendas e ndërkombëtarë nga industria filmike, pas së cilës, me nisje në orën 21:00, do të pasojë shfaqja zyrtare premierë e filmit.

“Skopje Film Festival e meritoi më të mirën – perlën e kinematografisë së re maqedonase. Shkupi ka pasur gjithmonë një publik filmik zgjedhës dhe të pasionuar, prandaj mbajtja e premierës së sotme është me rëndësi thelbësore për pulsin kulturor të qytetit. Ky event dërgon një mesazh të fuqishëm se skena filmike maqedonase ka shije, kapacitet, vizion dhe cilësi botërore, fakt që filmi “17“ e ka dëshmuar deri tani me pjesëmarrjen në një numër të madh festivalesh filmike, çmimet dhe vlerësimet e shumta të fituara dhe, sigurisht, kandidimin kombëtar për Oscar“, deklaroi anëtari i Këshillit të SFF dhe kuratori i festivalit, Niki Nikitin.

Përveç shfaqjes së filmit, publiku i Skopje Film Festival do të ketë mundësinë të takohet me një pjesë të ekipit autorial dhe aktorial pas „17“, të cilët do të ndajnë detaje nga procesi i krijimit të filmit që përfaqëson kinematografinë maqedonase në garën për njohjen më prestigjioze filmike.

Për shkak të interesit të madh për shfaqjen premierë të filmit në Shkup, organizatorët e festivalit rekomandojnë që biletat të sigurohen në kohë përmes rrjetit të shitjes së MK Tickets. Përveç shfaqjes premierë të „17“ në kuadër të programit të festivalit, filmi do të shfaqet në repertorin e rregullt në kinemanë Cineplex duke filluar nga 6 nëntori.

Për programin e plotë të festivalit, informacione shtesë  dhe lajme rreth aktiviteteve të ardhshme të festivalit, vizitoni faqen zyrtare të internetit sff.mk ose ndiqni profilet zyrtare të festivalit në rrjetet sociale.

artikuj të ndërlidhura