Ambasadorja e BE-së: Sistemi i fortë i drejtësisë, thelbësor për të ardhmen e Shqipërisë në BE

Nga Xh M
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 23 shtator Zhurnal.mk – Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, zhvilloi këtë të mërkurë një takim me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, ku në fokus ishin prioritetet e sistemit të prokurorisë dhe vijimi i zbatimit të reformës në drejtësi.

Pas takimit, Moreira de Sousa theksoi rëndësinë që ka forcimi i sistemit të drejtësisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, ndërsa bëri të qartë se mbështetja e Bashkimit Evropian për institucionet e drejtësisë do të vijojë.

Sipas ambasadores, në bisedën me Bogdanin u trajtuan ndër të tjera llogaridhënia institucionale, pavarësia dhe efektiviteti i institucioneve, si dhe hapat e mëtejshëm në zbatimin e reformës në drejtësi.

“Një sistem i fortë drejtësie është thelbësor për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë takimit tim me Mirela Bogdanin, Kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, diskutuam mbi prioritetet kryesore të sistemit të prokurorisë në Shqipëri, përfshirë llogaridhënien institucionale dhe vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi”, deklaroi Moreira de Sousa.

Ambasadorja nënvizoi më tej se Brukseli do të vazhdojë të mbështesë forcimin e institucioneve të drejtësisë në vend, duke e lidhur funksionimin e tyre edhe me besimin e qytetarëve te sistemi.

“Theksova se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë institucione të drejtësisë të forta, të përgjegjshme, të pavarura dhe efektive, duke kontribuar në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe në forcimin e besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë”, u shpreh ambasadorja e BE-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër