Kurti kërkon statusin e vendit kandidat për Kosovën: BE-ja të mos vonojë më

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 24 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat për anëtarësim, duke thënë se një vendim i tillë do të ishte përgjigje ndaj orientimit euroatlantik dhe përkushtimit të Kosovës ndaj vlerave demokratike.

Kurti përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, bëri të ditur se një ditë më parë, në Nju Jork, mori pjesë në një drekë të organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, ku ishin të pranishëm liderë të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Kurtit, Kosova e meriton statusin e vendit kandidat dhe se një vendim i tillë do të shërbente edhe si nxitje për reforma dhe zhvillim të mëtejshëm.

Ai rikujtoi se Kosova e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, në Pragë, ndërsa kritikoi vonesën në trajtimin e tij.

“Mbajtja në sirtar e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, përderisa jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuaj tërë fushat, përveçse padrejtësi ndaj Republikës së Kosovës do të ishte inkurajim i akterëve destabilizues rajonal dhe më gjerë”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri kosovar e lidhi procesin e integrimit evropian edhe me raportet me Serbinë. Ai tha se Kosova “nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng” i Serbisë, duke e akuzuar këtë të fundit për mbrojtjen e personave të dënuar ose të akuzuar për krime të rënda gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

Kurti kritikoi gjithashtu qëndrimin e Serbisë lidhur me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, si dhe për situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Deklaratat e Kurtit vijnë në kuadër të përpjekjeve të Kosovës për avancimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe trajtimin e aplikimit të saj për statusin e vendit kandidat.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër