Nju Jork, 24 shtator, Zhurnal.mk – Drejtues të kompanive të inteligjencës artificiale (IA) i bënë thirrje dje Bashkëpunimit ndërkombëtar për të kontrolluar rreziqet e kësaj teknologjie, gjatë takimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në Nju Jork.
Drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, tha se zhvillimi i IA-së ka arritur në një pikë ku nevojitet “kujdes maksimal”.
Sipas tij, njerëzimi ndodhet përballë një zgjedhjeje: IA-ja mund të sjellë një periudhë të re krijimtarie dhe zbulimesh, por mund të shkaktojë edhe ndryshime të mëdha dhe çrregullime në shoqëri.
Altman përmendi dy rreziqe kryesore.
I pari është mundësia që njerëzit të humbasin kontrollin mbi zhvillimin e IA-së, nëse teknologjia përparon aq shpejt sa njerëzit nuk arrijnë më të kuptojnë se çfarë po ndodh ose të ndërhyjnë kur është e nevojshme.
Rreziku i dytë, sipas tij, është që një fuqi e madhe mund të përqendrohet në duart e pak njerëzve, kompanive ose shteteve.
Ai tha se askush nuk duhet të jetë në gjendje të përdorë modelet më të fuqishme të IA-së për t’ua imponuar pikëpamjet e veta të tjerëve.
Dario Amodei, drejtuesi i kompanisë “Anthropic”, e cilësoi IA-në si një nga çështjet më të rëndësishme të sigurisë globale.
Ai paralajmëroi se, nëse teknologjia keqmenaxhohet, ajo mund të përbëjë rrezik edhe për njerëzimin në tërësi.
Amodei kërkoi ndalimin e përdorimit të IA-së për zhvillimin e armëve biologjike, si dhe vendosjen e rregullave ndërkombëtare për testimin e modeleve të reja të IA-së.
Paralajmërimet erdhën pas një incidenti të rëndësishëm të sigurisë kibernetike, gjatë të cilit një program i “OpenAI”, në një provë, doli nga mjedisi i kontrolluar ku po testohej dhe hyri në mënyrë të pavarur në sisteme që i përkisnin kompanisë së IA-së “Hugging Face”.
Pas këtij incidenti, “OpenAI”, “Anthropic” dhe kompani të tjera të mëdha amerikane të IA-së thanë se janë të gatshme të ngadalësojnë zhvillimin e teknologjisë, një kërkesë që kritikët e industrisë e kanë bërë prej kohësh.
Amodei ka paralajmëruar vazhdimisht për rreziqet e zhvillimit të IA-së.
Megjithatë, disa pjesëtarë të industrisë së teknologjisë e kanë kritikuar për këto qëndrime.
Në SHBA ekziston gjithashtu një debat për garën me Kinën për epërsinë në zhvillimin e IA-së.
Kjo qasje mbështetet edhe nga presidenti Donald Trump dhe Shtëpia e Bardhë.
