Tetova 20 vite pa plan gjeneral urbanistik

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 26 shtator Zhurnal.mk – Tetova prej më shumë se 20 vitesh pa Plan Gjeneral Urbanistik, ndërsa edhe plani i ri duket se do të presë. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka theksuar se Plani i ri Gjeneral Urbanistik për Tetovën është në përpunim e sipër, por për shkak të procedurave administrative dhe zgjerimit të zonës së ndërtimit, ai nuk do të mund të miratohet gjatë këtij viti. Kasami sqaroi se, ndërkohë, do të punohet për grumbullimin e të gjitha të dhënave nga institucionet, të cilat duhet të inkorporohen në Planin e ri Gjeneral Urbanistik.

“Për shkak se bëhet fjalë për zgjerim të kufijve, të gjitha projektet që kanë qenë jashtë Planit Gjeneral Urbanistik tash bëhen pjesë e planit të ri. Është dashur që një nga një të identifikohen. Jemi në komunikim me Agjencinë e Planifikimit dhe, derisa nuk i marrim lejet nga kjo agjenci, nuk mund të shkojmë në fazën tjetër. Jemi në komunikim me operatorin që bën përgatitjen e planit. Paralelisht punohet edhe në studimet tjera, sepse pjesë e Planit Gjeneral janë diku mbi 20 studime që duhet të përgatiten dhe ne punojmë që të përmbushim kohën e humbur. Derisa të sigurohen kushtet e planifikimit, punojmë në përgatitjen dhe sigurimin e studimeve tjera.”, sqaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Ai më tej njoftoi se deri në fund të vitit nuk do të jetë gati Plani i ri Gjeneral Urbanistik për Tetovën.

“Pra, kemi situata kur ballafaqohemi edhe me probleme administrative, sepse përgatitja e këtij plani nënkupton mbledhjen e informacioneve nga të gjitha institucionet në shtet dhe në këtë drejtim kemi situatë të paparashikuar. Zgjaten procedurat dhe ndoshta do të dalim jashtë afateve të parapara, pra nuk realizohet në 2026.”, deklaroi Kasami.

Lidhur me Planin Detal Urbanistik për Kodrën e Diellit, Kasami ka thënë se kanë pasur problem me marrjen e një lejeje nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ndërsa tash plani është në Ministrinë e Transportit dhe janë në koordinim me këtë ministri. Por, edhe ky plan hasi në pengesë. PDU-ja e Kodrës së Diellit dje u hoq nga rendi i ditës i Këshillit Komunal, pasi Ministria e Transportit ende nuk i ka dhënë dritë jeshile. Edhe për këtë plan, procedurat administrative mbeten pengesë për miratimin e tij.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër