Nikolla Jankullovski është kryetari i ri i Odës së Mjekëve

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 nëntor Zhurnal.mk – Nikolla Jankullovski është zgjedhur kryetar i ri i Odës së Mjekëve, ndërsa Idriz Orana nënkryetar. Në mbledhjen e Kuvendit të Odës janë zgjedhur edhe tre zëvendëskryetarë: Biljana Petkovska Ogjanova – zëvendëskryetare për shëndetësinë primare, Lençe Neloska – zëvendëskryetare për shëndetësinë sekondare dhe Risto Todorov – zëvendëskryetar për shëndetësinë terciare.

Jankullovski paralajmëroi se prioritetet e tij do të jenë mbrojtja dhe avancimi i të drejtave dhe statusit të mjekëve, rritja e transparencës në punën e Odës dhe digjitalizimi i proceseve.

“Fokusi im do të jetë i orientuar drejt mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave dhe statusit të të gjithë mjekëve në vendin tonë, përmirësimit të transparencës në punën e Odës dhe digjitalizimit të proceseve, si dhe përfshirjes aktive të Odës në hartimin e ndryshimeve ligjore në fushën e shëndetësisë”, deklaroi Jankullovski pas zgjedhjes.

Nga Oda njoftuan se “me zgjedhjen e Jankullovskit në postin e kryetarit, Oda e Mjekëve fiton një drejtues me përvojë të gjatë akademike, menaxheriale dhe klinike, i cili karrierën e tij ia ka kushtuar zhvillimit të shëndetësisë maqedonase, arsimit të lartë dhe avancimit të dinjitetit të profesionit të mjekut”.

Ndryshe, Jankullovski është subspecialist i kirurgjisë abdominale dhe profesor i rregullt shumëvjeçar në Katedrën e Kirurgjisë pranë Fakultetit të Mjekësisë në Shkup. Gjatë karrierës së tij ka qenë drejtor i Klinikës Universitare të Kirurgjisë Digjestive, dy mandate dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe dy mandate rektor i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.

artikuj të ndërlidhura