Shkup, 28 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Mickoski ka deklaruar se Maqedonia e Veriut ka një mosmarrëveshje dypalëshe me Bullgarinë, por përkundër shumë përpjekjeve, një zgjidhje e qëndrueshme nuk po arrihet. Prandaj, ai ka kërkuar që përfshirja e BE-së është e nevojshme për të dëgjuar argumentet e të dyja palëve. Megjithatë, duke e pasur parasysh kontestin tre dekadësh me Greqinë, ku ishte e përfshirë OKB-ja, pyetja që shtrohet është se a është ky mendim i duhur, dhe a mund të zgjatet dhe thellohet edhe më shumë kontesti me Bullgarinë. Maqedonia e Veriut në këtë pikë duhet të mendojë dy herë, nëse BE-ja do ta përkrahë atë, ose do ta përkrahë Bullgarinë që është shtet anëtar i saj, shkruan “Zhurnal.mk”.
Mickoski kërkon të përfshihet edhe BE-ja në kontestin me Bullgarinë
Takimet dypalëshe midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë deri më tani kanë qenë “për çdo rast”, dhe Bashkimi Evropian duhet të përfshihet në proces për të dëgjuar argumentet e të dyja palëve, tha kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë për MTV, duke iu përgjigjur pyetjes se si e interpreton qëndrimin e Sofjes zyrtare se është e gatshme për dialog, por prapëseprapë dëshiron që bisedimet të zhvillohen në mënyrë dypalëshe, dhe jo përmes ndërmjetësimit të BE-së.
Kryeministri theksoi se takimet e deritanishme nuk kanë sjellë ndonjë rezultat të rëndësishëm., prandaj ideja e tij është të përfshihet Bashkimi Evropian me qëllim që ata të dëgjojnë argumentet e të dy palëve.
Problemi me Bullgarinë a është në fillimet e saj dhe duket se do të zgjatë edhe shumë vite!
Shqetësimi nga ana e Sofjes zyrtare është se ata thonë “nëse ulemi në prani të një partneri të tretë, kjo do të thotë se kemi vërtet një mosmarrëveshje dypalëshe”. Prandaj, Mickoski thekson se dy vendet me të vërtetë kanë një mosmarrëveshje dypalëshe.
Dhe ky problem duket se është në fillimet e tij, sepse zgjidhja do të duket një maratonë e gjatë. Prandaj, kryeministri Mickoski kërkon që të ketë një dialog dhe pikërisht për këtë arsye duhen përfaqësues të organizatave shumëpalëshe, në këtë rast Bashkimit Evropian, për të dëgjuar argumentet.
Nëse fillojnë bisedimet, Maqedonia e Veriut nuk dëshiron të futet në një aventurë pa e ditur se fundi është afër dhe se e shohin qartë fundin. Nëse nesër hapen negociatat me Bashkimin Evropian, çdo kapitull, çdo grup do të duhet të votohet në parlamentet kombëtare të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo, nënkupton se kërkesa për bllokim Maqedonia e Veriut mund të marrë edhe shumë herë, prandaj kërkojnë garanci se diçka e tillë nuk do të ndodhë.
Kur problemi dej në mejdan, kompromisi është më i dhimbshëm!
Mençuria e kryeministrit Mickoski do të kishte qenë që ta zgjidhte problemin sa më shpejt të jetë e mundur pa e nxjerrë atë në arenën ndërkombëtare. E mira e së mirës do të kishte qenë që dy vendet të gjenin një zgjidhje, dhe të merreshin vesht që mos të ketë më kërkesa të reja. Por, duket se as Bullgaria dhe as Maqedonia e Veriut nuk janë të gatshëm për këtë kompromis dhe vazhdojnë të çojnë deri në fund inatin e tyre.
Në këtë situatë, përfshirja e palës së tretë, do të thotë se problemi ngritet në një nivel më të lartë që domosdoshmërisht do të përfshijë Bashkimin Evropian.
Maqedonia e Veriut në këtë pikë duhet të mendojë dy herë, nëse BE-ja do ta përkrahë atë, ose do ta përkrahë Bullgarinë që është shtet anëtar i saj.
Nëse në takime dypalëshe, shumë politikanë nga BE-ja e thonë se nuk e kuptojmë problemin që e keni me Bullgarinë, kjo nuk do të thotë se ata do t’a hedhin poshtë një shtet anëtar të tyre dhe do t’i japin të drejtë një shteti që synon të bëhet anëtar i ri.
Është shumë e qartë dhe e rëndësishme që Ballkani Perëndimor të pranohet në BE sa më shpejtë, për shkak të rrethanave gjeopolitike, por nëse nuk i ngutet Maqedonisë së Veriut, atëherë shumë më pak i bëhet vonë Brukselit zyrtar. Biles, disa shteteve të veriut të BE-së, të cilat janë kundër zgjerimit, atyre u shkon më shumë për shtati mos pranimi i anëtarëve të rinj.
Në këtë pikë, Shkupi zyrtar duhet t’i bëjë mirë kalkulimet, sepse kur Mickoski thotë përfshirjen e BE-së, kjo nënkupton përfshirjen e 27 shteteve, të cilat deshën apo nuk deshën do të zgjedhin më shumë interesin se sa emocionin.
Emociaonalisht dhe moralisht, Maqedonia e Veriut ka të drejtë dhe duhet të jetë pjesë e BE-së, por në interesin e BE-së është që ta ketë një partner të fuqishëm si Bullgaria, e cila shtrihet në kufirin më juglindor të saj dhe që mban “larg” Turqinë dhe Rusinë, si dhe ka qasje në Detin e Zi.
Edhe në rrafshin diplomatik, Shkupi zyrtar nuk mund të shtyhet me Bullgarinë, e cila ka administratën e vet brenda BE-së, ka komisioner dhe ka qasje në të gjitha insitutcionet evropiane. Lobimi nga këta bullgarë dhe nga administrata e tyre gjithkund do të jetë më i madh.
Pala maqedonase kërkon një formulë me të cilën nuk do të lejojë që Bullgaria të vendosë veto të reja, ose edhe ndonjë shtet tjetër në të ardhmen të vendosë veto për X çështje tjera. Por, kjo gjë nuk ndodhë me BE-në dhe këtë e kanë thënë shumë qartë drejtues të saj, përfshirë edhe vetë presidenten e Komisionit Evropian.
Maqedonia e Veriut, gjithashtu duhet ta mësojë leksionin me Greqinë, i cili zgjati gati 30 vite deri sa arriti te zgjidhja. Kompromisi ishte shumë më i dhimbshëm se sa zgjidhja të ishte bërë në fillim të viteve 90-ta. Ngjashëm do të ndodhë edhe me Bullgarinë. Nëse e lejojmë që problemi të “trashet” dhe të ndërhyjnë edhe shtete të tjera, e që nënkupton edhe interesa të reja, kjo do të thotë se komprimisi do të jetë i dhimbshëm për të gjithë, por më shumë për Maqedoninë e Veriut, shkruan “Zhurnal.mk”.
