Shkup, 27 shtator Zhurnal.mk – Ligji i ri për mbrojtjen nga duhanpirja ende nuk ka arritur në seancë plenare. Edhe pse fillimisht ishte paralajmëruar se rregullat më të rrepta do të fillonin të zbatoheshin që në mars të këtij viti, propozimi aktualisht mbetet në procedurë parlamentare, ku priten mendime shtesë për amendamentet e parashtruara.
Propozim-ligji ka arritur në leximin e dytë në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, ndërsa deri tani janë parashtruar tetë amendamente.
Nga Kuvendi thonë se një pjesë e deputetëve kanë kërkuar mendime shtesë nga ekspertë vendas, si dhe nga bizneset që merren me prodhimin e produkteve të duhanit.
“Përveç mendimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një grup deputetësh kanë kërkuar mendime shtesë për ligjin nga ekspertë vendas, si dhe mendim nga bizneset që merren me prodhimin e produkteve të duhanit. Sapo të arrijnë mendimet e kërkuara, komisioni do ta vazhdojë procedurën”, informojnë nga Kuvendi.
Propozimi parashikon rregulla më të rrepta për duhanpirjen në hapësirat e mbyllura. Ndalimi nuk do të vlejë vetëm për cigaret klasike, por edhe për cigaret elektronike.
Duhanpirja do të ndalohej në institucionet publike, kompanitë private, institucionet arsimore, stacionet e autobusëve dhe të trenave, tregje, si dhe në vende të tjera ku mblidhet një numër i madh njerëzish.
