Martin Odegaard ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjes së Bernardo Silvas, i cili e rrëzoi në tokë gjatë ndeshjes mes Norvegjisë dhe Portugalisë.
Ndërhyrja ndodhi në kohën shtesë, pasi kapiteni i Arsenalit e kishte larguar tashmë topin. Bernardo Silva e ndoqi aksionin dhe e goditi Odegaardin në zonën e Akilit ose kyçit të këmbës.
Pas ndeshjes, Odegaard mori trajtim mjekësor dhe më pas foli për mediat, duke mos e fshehur zemërimin ndaj yllit të Real Madridit.
“Nuk ka vend për një gjë të tillë në një fushë futbolli. Është turp që njerëzit bëjnë gjëra të tilla”.
“Ai e ka humbur mendjen. Thjesht më godet, shumë kohë pasi e kam pasuar topin. Nuk e kuptoj se çfarë po bën”, shtoi ai.
Bernardo Silva u ndëshkua me karton të verdhë për ndërhyrjen, ndërsa Odegaard vazhdoi të luante deri në fund të ndeshjes. Megjithatë, ai u largua nga stadiumi duke çaluar dhe ende nuk dihet nëse ndërhyrja do të ketë pasoja më të mëdha.
Odegaard u pyet gjithashtu nëse e lidhte ndërhyrjen me faktin se Silva ka luajtur për rivalin e Arsenalit në Liga Premier, Manchester Cityn.
“Duhet ta pyesni atë për këtë. Nuk e di se çfarë po bën. Gjëra të tilla nuk i përkasin një fushe futbolli. Është turp që njerëzit bëjnë gjëra të tilla. Por kjo është jeta”, u përgjigj ai, duke theksuar se Silva nuk i kishte kërkuar falje.
Ndërkohë, Silva nuk foli për mediat norvegjeze, por iu përgjigj gazetarëve kur u pyet se çfarë i kishte thënë Odegaard pas ndërhyrjes.
“Është futboll, miku im”, ishte përgjigjja e portugezit.
Portugalia e fitoi ndeshjen e Ligës së Kombeve në Oslo me rezultat 2-1, duke i dhënë fund një serie të Norvegjisë pa humbje në shtëpi në Ullevaal Stadium që nga tetori i vitit 2023.
