Kuvendi miraton me 99 vota deklaratën për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prshtinë, 28 shtator, Zhurnal.mk – Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 99 vota për deklaratën lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, raporton Ekonomia Online.

Deklarata u propozua nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndërsa teksti i saj u harmonizua nga të gjitha grupet parlamentare shqiptare.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, gjatë seancës ka lexuar deklaratën, përmes së cilës Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së parë, duke e konsideruar të papranueshëm konstatimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët”, tha ajo.

Përmes kësaj deklarate, Kuvendi shpreh shqetësim edhe për mungesën e transparencës dhe pretendimet për shkeljen e standardeve të gjykimit të drejtë, si dhe kundërshton përgjegjësinë që, mbi bazën e përfundimit për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal, u është atribuuar secilit prej të akuzuarve.

Në deklaratë, Kuvendi u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare. Po ashtu, kërkohet hartimi i një strategjie të përbashkët shtetërore, e cila do të përfshijë veprime juridike, institucionale dhe diplomatike.

Deklarata rikujton se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) erdhi si pasojë e represionit dhe krimeve të regjimit të Slobodan Millosheviqit. Aty theksohet edhe rëndësia e ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës dhe çlirimin e Kosovës, si dhe bashkëpunimi i saj me UÇK-në.

Gjithashtu, Kuvendi vlerëson se Dhomat e Specializuara kanë dalë jashtë mandatit për të cilin Kuvendi kishte pranuar themelimin e tyre.

Përmes deklaratës, Kuvendi kundërshton çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës ose për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare.

Në përmbyllje të deklaratës, Kuvendi zotohet të mbrojë pa kompromis të vërtetën e luftës çlirimtare, si dhe të drejtën e të dënuarve për një gjykim të drejtë, në përputhje me standardet e kërkuara.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër