Pekin, 28 shtator, Zhurnal.mk – Kina nuk pranoi të komentojë sot një deklaratë të ambasadorit amerikan në Kinë, David Perdue, sipas të cilit presidenti amerikan Donald Trump e kishte pyetur presidentin kinez Xi Jinping nëse Pekini do të ishte i interesuar të blinte armë nga Shtetet e Bashkuara.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, tha se Kina po forcon kapacitetet e saj mbrojtëse bazuar në nevojat e veta.
Ai theksoi gjithashtu se Pekini është i angazhuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në botë.
Deklarata e tij erdhi pasi ambasadori amerikan Perdue tha në një intervistë për Fox News se presidenti Trump i kishte bërë të qartë Xi-së se Shtetet e Bashkuara u shesin armë vendeve në të gjithë botën.
“Në një moment, ai e pyeti presidentin Xi nëse do të donte të blinte disa”, tha Perdue, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me shitjet amerikane të armëve për Tajvanin.
Mbështetja ushtarake amerikane për Tajvanin ka qenë prej kohësh një burim tensioni me Pekinin.
Kina e konsideron ishullin e vetëqeverisur pjesë të territorit të saj dhe ka kërcënuar se mund ta marrë nën kontroll edhe me forcë.
Perdue nuk sqaroi se kur presidentii Trump dyshohet se e bëri këtë pyetje dhe as se si reagoi Xi Jinping.
Pas transmetimit të intervistës, zyrtarë të qeverisë amerikane i thanë “Wall Street Journal” se Uashingtoni nuk kishte plane për t’i shitur armë Kinës.
Një prej burimeve tha se një marrëveshje e tillë do të ishte e pamundur nga pikëpamja ligjore.
Zyrtarët amerikanë gjithashtu nuk sqaruan nëse pyetja e pretenduar u bë gjatë vizitës së Xi Jinping në Uashington javën e kaluar apo gjatë bisedimeve të mëparshme.
Një shitje armësh amerikane ndaj Pekinit do të mund të shkaktonte shqetësim edhe te aleatët e SHBA-së, veçanërisht në Azinë Lindore, ku disa vende që përballen me presion nga Kina marrin mbështetje ushtarake nga Uashingtoni.
Tajvani është shembulli më i rëndësishëm.
Perdue përsëriti gjithashtu qëndrimin e Uashingtonit për çështjen e Tajvanit; SHBA nuk mbështet pavarësinë e Tajvanit, por as përdorimin e forcës ose detyrimit ndaj tij.
