Ish-anësori i Barcelonës, Cristian Tello, ka njoftuar pensionimin nga futbolli profesionist në moshën 35-vjeçare, duke i dhënë fund një karriere prej 512 paraqitjesh.
Tello, i lindur në Sabadell, e mbylli karrierën në fillim të shtatorit, pasi gjatë viteve luajti për Barcelonën, Porton, Fiorentinën, Real Betisin, Los Angeles FC, Al-Fateh dhe Al-Okhdood.
Barcelona së fundmi ka rikujtuar disa nga momentet më të veçanta të karrierës së tij, përfshirë periudhën nën drejtimin e Pep Guardiolës dhe një “El Clasico” të tensionuar në prill të vitit 2012.
Në atë kohë, Tello ishte pjesë e formacionit që do të përballej me Real Madridin, por publikimi i formacionit para ndeshjes shkaktoi tension të madh në dhomën e zhveshjes.
“E kujtoj me nostalgji, por jo shumë mirë, sepse ishte një situatë e çuditshme. U stërvitëm në mëngjes në Camp Nou, Guardiola e bëri të ditur formacionin dhe më pas ai u publikua gjatë drekës”.
“Messi nuk ishte i zemëruar për formacionin, por unë po luaja në El Clasico dhe biseda në dhomën e zhveshjes u bë shumë e tensionuar. Guardiola tha se duhej të ishim të bashkuar, si një familje, dhe se ai që e kishte nxjerrë informacionin duhej të ishte pjesë e saj. Ishte i tërbuar”, deklaroi ish-futbollisti.
Tello foli edhe për periudhën e Guardiolës në Barcelonë dhe standardet e larta që trajneri kërkonte nga futbollistët.
“Guardiola është këmbëngulës dhe kërkues. Ai ishte te Barcelona për një kohë të gjatë dhe fitoi gjithçka, ndaj mendoj se ndoshta kishte ndjesinë se i kishte lodhur lojtarët me kërkesat e tij të larta”.
Tello e mbylli karrierën me 512 paraqitje profesionale, ndërsa periudha e tij te Barcelona mbetet një nga kapitujt më të rëndësishëm të karrierës së tij.

