Stacioni i trenit në Rinas, shpallet kompania fituese

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 28 shtator, Zhurnal.mk – Stacioni i ri hekurudhor në Aeroportin e Rinasit hyn në një fazë të re, pas përfundimit të procedurës së prokurimit për projektimin e detajuar dhe ndërtimin e godinës.

Hekurudha Shqiptare ka shpallur fituese kompaninë “Hastoçi”, e cila ka paraqitur ofertën prej rreth 81 milionë lekësh pa TVSH, kundrejt fondit limit prej 91,6 milionë lekësh.

Procedura ishte pezulluar pas një ankese të njërit prej gjashtë operatorëve ekonomikë që morën pjesë në tender. Komisioni i Prokurimit Publik, pas shqyrtimit të dokumentacionit, vlerësoi se kërkesat e tenderit nuk ishin përmbushur nga operatori ankues dhe lejoi vijimin e procedurës.

Stacioni i Rinasit do të jetë pjesë e linjës Tiranë–Durrës–Rinas dhe, krahas godinës, projekti parashikon një sërë ndërhyrjesh në infrastrukturën përreth. Këtu përfshihen platformat e pasagjerëve, akseset për këmbësorët, trotuaret, hapësirat e parkimit dhe zonat e dedikuara për taksitë, autobusët dhe automjetet që transportojnë pasagjerë.

Ndërkohë, projekti i linjës hekurudhore po ecën në disa drejtime. Janë në zbatim kontratat për punimet civile, sistemet e sinjalizimit dhe telekomunikacionit, si dhe për ndërtimin e godinave të stacioneve. Paralelisht, po zhvillohet tenderi për elektrifikimin e linjës.

Sipas objektivit të deklaruar nga autoritetet, transporti hekurudhor në aksin Tiranë–Durrës–Rinas pritet të nisë në fund të vitit 2027. Ky afat nuk përfshin segmentin rreth 4 kilometra që lidhet me rikthimin e stacionit të trenit në Tiranë.

Projekti i rehabilitimit të linjës hekurudhore Tiranë–Durrës dhe degëzimit drejt Aeroportit të Rinasit synon të rikthejë transportin hekurudhor të pasagjerëve në një nga akset më të rëndësishme të vendit, duke lidhur kryeqytetin me Durrësin dhe aeroportin ndërkombëtar.

Linja parashikon rehabilitimin e infrastrukturës ekzistuese, ndërtimin dhe rikonstruksionin e stacioneve, instalimin e sistemeve moderne të sinjalizimit dhe telekomunikacionit, si dhe elektrifikimin e linjës.

Projekti konsiderohet një ndër investimet kryesore në modernizimin e transportit hekurudhor në Shqipëri dhe synon të ofrojë një alternativë të transportit publik për udhëtarët mes Tiranës, Durrësit dhe Aeroportit të Rinasit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër