Rubio: Komploti ndaj bazës ajrore britanike përfshin një aktor të huaj

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 29 shtator, Zhurnal.mk – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se komploti i dyshuar terrorist pranë bazës ajrore britanike “RAF Fairford”, në Gloucestershire, “qartazi përfshin dorën e një aktori të huaj”, por nuk dha detaje të tjera mbi identitetin e tij.

Në një intervistë televizive, Rubio përmendi Iranin si një vend që ka kërcënuar hapur interesat amerikane, por nuk e akuzoi drejtpërdrejt Teheranin për incidentin.

Irani i ka mohuar kategorikisht pretendimet për përfshirje.

“RAF Fairford” përdoret edhe nga forcat amerikane dhe ka qenë e përfshirë në operacione ushtarake amerikane kundër Iranit.

Pas zbulimit të tre furgonëve pranë bazës gjatë fundjavës, autoritetet britanike arrestuan pesë shtetas britanikë nën dyshimin për vepra që lidhen me eksplozivët dhe terrorizmin.

Rreth 85 familje nga zona përreth u evakuuan përkohësisht.

Banorët u lejuan të ktheheshin të hënën, ndërsa një kordon sigurie mbeti rreth automjeteve, pasi ekipet kundër terrorizmit vazhduan hetimet.

Sipas informacioneve të deritanishme, materiali i gjetur nuk rezultoi të ishte eksploziv funksional, ndërsa hetimi vazhdon.

Pesë të dyshuarit u liruan me garanci policore dhe kushte të rrepta, por mbeten nën hetim.

Ata janë britanikë të moshës 23 deri në 25 vjeç, nga zona të ndryshme të Londrës.

Autoritetet theksuan se lirimi nuk nënkupton përfundimin e hetimit apo heqjen e dyshimeve.

Rubio tha se SHBA është duke bashkëpunuar me autoritetet britanike dhe e cilësoi ngjarjen si një situatë shumë serioze.

Ai shtoi se ka elemente që lidhen me kërcënimet e Iranit ndaj interesave amerikane në mbarë botën, duke paralajmëruar se çdo sulm apo përpjekje për sulm ndaj tyre do të kishte pasoja.

Nga ana britanike, drejtuesi i  forcës së kundër terrorit , Laurence Taylor, tha se policia po shqyrton “çdo kënd të mundshëm” të hetimit.

Ai pranoi se po shqyrtohet edhe mundësia që pas incidentit të qëndrojnë persona që veprojnë si ndërmjetës ose përfaqësues të një shteti të huaj.

Taylor theksoi gjithashtu se autoritetet janë të vetëdijshme për kontekstin aktual gjeopolitik, por nuk kanë arritur ende në një përfundim mbi përgjegjësinë e ndonjë shteti.

Ambasada iraniane në Londër e ka dënuar si të pabazuara dhe dashakeqe spekulimet për përfshirjen e Iranit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër