Prishtinë, 29 shtator, Zhurnal.mk – Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka bërë të ditur se ai dhe disa zyrtarë të tjerë të kësaj partie kanë pranuar një tjetër ftesë për intervistim nga Prokuroria Speciale, duke pretenduar se ndaj tij janë ngritur dyshime për disa vepra penale.
Simiq ka deklaruar se në ftesë përmenden dyshimet për “sulm ndaj rendit kushtetues” dhe disa vepra tjera penale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Simiq ka thënë se do t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë, duke mohuar se ka kryer ndonjë vepër penale.
“Si gjithmonë, do t’i përgjigjem ftesës, sepse nuk kam çfarë të fsheh, i vetëdijshëm, ashtu si edhe ata që e kanë shkruar këtë, se nuk kam kryer asnjë vepër penale dhe se, si përfaqësues politik, e kam obligim të jem me popullin tim dhe të flas publikisht për vuajtjet e tij”, ka shkruar Simiq.
Deri më tani, nga Prokuroria Speciale nuk është dhënë ndonjë sqarim publik lidhur me rastin dhe dyshimet konkrete ndaj Simiqit dhe zyrtarëve tjerë të kësaj partie.
