Kedhi: Raporti i DASH konstaton probleme me korrupsionin, drejtësinë, prokurimet dhe median

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 01 tetor, Zhurnal.mk –  Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, reagoi sot pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri për vitin 2026, duke e cilësuar dokumentin si një “aktakuzë të qartë” ndaj mënyrës së qeverisjes së vendit.

Në një deklaratë për mediat, Kedhi u ndal te problematikat që, sipas tij, evidentohen në raport, duke përmendur korrupsionin, krimin e organizuar, pastrimin e parave, informalitetin, konkurrencën e deformuar dhe emigrimin.

Sipas tij, raporti konstaton probleme me korrupsionin në administratë, sistemin e drejtësisë, prokurime dhe media. Kedhi tha se paratë e lidhura me trafikun e drogës dhe evazionin fiskal ndikojnë në konkurrencën në treg, ndërsa investitorët raportojnë rrezik nga administrata publike, media dhe grupet kriminale.

Një tjetër çështje e ngritur nga nënkryetari i PD ishte ligji për investimet strategjike.

“Raporti e thotë hapur edhe atë që shqiptarët e dinë prej kohësh: ligji për investimet strategjike perceptohet si skemë që ka favorizuar kompani vendase të lidhura me mazhorancën. PPP-të ulin konkurrencën dhe vuajnë nga analiza e dobët teknike. Ndërmarrjet shtetërore shtohen, bordet e tyre emërohen pa konkurrim dhe rreziku i ndërhyrjes politike është i lartë”, tha ai.

Në deklaratën e tij, ai përmendi gjithashtu problematikat që lidhen me zbatimin e kontratave, vonesat në gjykata dhe çështjet e pronësisë.

“Prona mbetet ndër sektorët më të ekspozuar ndaj korrupsionit. Ka tituj të mbivendosur, manipulim të gjykatave dhe kompensim nën vlerën e tregut për shpronësimet”, tha ai.

Kedhi e cilësoi shpopullimin si një nga pasojat më të rënda të situatës ekonomike dhe sociale.

“Pasoja më e rëndë është shpopullimi. Rreth 40% e fuqisë punëtore punon jashtë vendit. Shkaqet janë varfëria, pagat e ulëta, korrupsioni dhe klientelizmi. Këto nuk i thotë vetëm opozita. I thotë prej shumë vitesh tashmë dhe aleati ynë strategjik. Më e rëndësishmja, këto i ndjejnë dhe i shohin qytetarët përditë”, tha ai.

Kedhi tha se opozita synon forcimin e shtetit ligjor, rritjen e transparencës në prokurime dhe garantimin e sigurisë së pronës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër